Ditën e sotme, Murseli është parë jashtë ambienteve të paraburgimit, nën masa të rrepta sigurie, teksa i prangosur në duar e këmbë është dërguar në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai shoqërohej nga njësi të shumta të Policisë së Kosovës, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve në ambientet spitalore.
Ky zhvillim vjen pas një vendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda, e cila më 4 qershor 2025 miratoi kërkesën e avokates mbrojtëse të tij, Teuta Zhinipotoku, për një ekzaminim psikiatrik të klientit të saj. Sipas zëdhënëses së gjykatës, Mirlinda Gashi, më 9 qershor trupi gjykues ka lëshuar urdhër që ekzaminimi të kryhet nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, me qëllim vlerësimin e gjendjes mendore të Murselit.
Avokatja Zhinipotoku ka deklaruar për mediat se ekzaminimi është thelbësor për të përcaktuar nëse klienti i saj është i aftë të ndjekë procesin gjyqësor dhe të bashkëpunojë me mbrojtjen. Ajo theksoi se “nuk kërkojmë trajtim të veçantë, por vetëm maturi dhe paanshmëri”, ndërsa shtoi se pritet që grupi i ekspertëve të japë një raport të detajuar mbi gjendjen e tij psikike.
Sipas raportimeve të fundit, Murseli ndodhet prej shtatë ditësh në repartin e psikiatrisë për të kryer të gjitha vlerësimet dhe testet e nevojshme. Ai vijon të deklarojë pafajësinë e tij, por ka bërë edhe një deklaratë të fortë për Insajderin: “Nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë do të kërkoj dënim të përjetshëm për veten time”.
Megjithatë, aktakuza e Prokurorisë është e qartë dhe tronditëse. Sipas saj, Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitime financiare, përkatësisht nga një sigurim jetësor në Suedi me vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Në këtë plan vdekjeprurës, sipas hetimeve, ai është bashkëpunuar me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve u kishte premtuar 30 mijë euro për kryerjen e vrasjes.
Në ditën e krimit, më 29 nëntor 2023, sipas Prokurorisë, Murseli ka blerë një armë me 20 fishekë për 280 euro nga Tom Dodaj. Ky i fundit ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe tashmë është dënuar me 5 vjet burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Liridona Ademaj u vra në mbrëmje, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, ngjarja u paraqit si një tentativë grabitjeje që përfundoi tragjikisht. Por më pas, me avancimin e hetimeve, u zbuluan detajet makabre të një plani të ftohtë dhe të kalkuluar deri në imtësi, që tronditi jo vetëm qytetarët, por edhe opinionin ligjor dhe politik në vend.
Procesi ndaj Naim Murselit dhe bashkëpunëtorëve të tij pritet të jetë një nga më të ndjekurit dhe më të rëndësishmit në historinë e drejtësisë në Kosovë.