Një incident i armatosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Krastë të Fushë Krujës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali në pronësi të shtetasit Mondi Voga. Voga njihet si ish-shoferi i deputetit të zgjedhur Arjan Nodja.
Policia e Tiranës ka konfirmuar ngjarjen, duke njoftuar se rreth orës 01:10, shtetasi M. V. ka sinjalizuar Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për të shtënat me armë në drejtim të lokalit të tij. Fatmirësisht, si pasojë e të shtënave nuk ka patur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale në objekt.
Autoritetet policore menjëherë kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit ose autorëve të ngjarjes, si dhe për sqarimin e rrethanave që çuan në këtë akt. Zona përreth lokalit është siguruar nga forcat e policisë për të mundësuar kryerjen e hetimeve të plota.
Në njoftimin e saj, policia deklaroi: “Rreth orës 01:10, shtetasi M. V. ka njoftuar Sallën Operative të DVP Tiranë, se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të tij, në fshatin Krastë, Fushë Krujë. Si pasojë ka patur vetëm dëme materiale. Punohet për identifikimin e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.”
Mondi Voga, pronari i lokalit, ka qenë i arrestuar më parë nga policia për posedim të armëve pa leje, një fakt që mund të jetë pjesë e hetimit për të përcaktuar motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje. Policia po punon intensivisht për të zbardhur të gjitha detajet dhe për të vënë para përgjegjësisë personat e implikuar.