Këngëtari i njohur amerikan, R Kelly, është dërguar me urgjencë në spital pas një mbidoze të dyshuar me ilaçe brenda burgut ku po vuan një dënim prej 30 vitesh për shfr*tëzim s**sual dhe zhvatje.
Sipas një dokumenti ligjor të siguruar nga avokatët e tij, Robert Sylvester Kelly, i njohur si R. Kelly, 57 vjeç, u vendos në izolim më 10 qershor. Gjatë kësaj periudhe, atij iu dhanë medikamente kundër ankthit nga stafi i burgut. Po atë ditë, ai mori gjithashtu ilaçe shtesë, për të cilat ishte kërkuar që t’i merrte.
Vetëm tre ditë më vonë, më 13 qershor, Kelly filloi të raportojë marramendje, dobësi të theksuar dhe vështirësi në shikim, duke thënë se shihte “njolla të zeza”. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua shpejt, duke kulmuar me humbjen e vetëdijes. Si rezultat, ai u transferua menjëherë në Spitalin Universitar Duke për trajtim të specializuar.
Një deklaratë e cituar se është bërë nga vetë Kelly ndaj stafit të burgut, ku ai ka thënë: “Kjo do të hapë një kuti të re të Pandorës”, ka ngritur pyetje serioze në lidhje me mënyrën e menaxhimit të medikamenteve dhe trajtimin që ai po merr nga autoritetet e burgut.
Ngjarja e rëndë aktualisht ndodhet nën hetim nga autoritetet përkatëse, ndërsa avokatët e artistit kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre të thellë për shëndetin dhe trajtimin e klientit të tyre. Ky incident vjen në një kohë të ndjeshme, pasi R. Kelly po përballet me pasojat e dënimit historik që iu dha pas një vale të madhe denoncimesh që u bënë pjesë e lëvizjes #MeToo, duke zbuluar shkelje të rënda dhe të vazhdueshme të ligjit ndaj vajzave të mitura dhe grave. Detajet e plota të mbidozës së dyshuar dhe gjendja aktuale shëndetësore e këngëtarit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.