Skip to content

Na e mbajnë të fshehtë, por e zbulojnë mediat italiane: E tmerrshme ajo që ndodh brenda kapit të Gjadrit në Lezhë!

Një artikull i publikuar së fundmi nga gazeta italiane “Domani” ka zbuluar detaje shqetësuese mbi kushtet në qendrën e riatdhesimit në Gjadër, Shqipëri, një strukturë e ndërtuar në bazë të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për të strehuar emigrantët e refuzuar.

Sipas raportimit të “Domani”, që nga fillimi i funksionimit të qendrës, janë regjistruar të paktën 45 incidente vetëlëndimesh, protesta dhe tentativa për vetëvrasje. Kjo shifër alarmante hedh një dritë të zymtë mbi aspektin humanitar të kësaj politike migratore. Emigrantët e ndaluar në këtë qendër, numri i të cilëve vlerësohet jozyrtarisht rreth 80 persona në muaj, jetojnë në kushte izolimi ekstrem, duke humbur orientimin kohor. Vizitorët që kanë mundur të hyjnë në qendër raportojnë se pyetja e parë e emigrantëve është gjithmonë “Çfarë dite është?” dhe “Çfarë ore është?”.

Në mungesë të çdo kontakti me botën e jashtme – pa celularë, pa orë dhe me televizorë që nuk funksionojnë – të ndaluarit përjetojnë një shkëputje të thellë nga realiteti. Raporti thekson gjithashtu se përdorimi i barnave psikotrope është bërë një praktikë e zakonshme për të qetësuar ose përgjumur gjendjen emocionale të emigrantëve, duke shuar çdo ndjesi kontrolli mbi jetën e tyre personale.

Gazeta “Domani” e përshkruan qendrën e Gjadërit si një strukturë sterile, të pastër, por thellësisht të ftohtë dhe çnjerëzore – duke e krahasuar atë me një burg modern ku vuajtja nuk shprehet me zë, por konsumohet në heshtje. Ndryshe nga burgjet italiane që shpesh përballen me mbipopullim dhe protesta të hapura, qendra në Gjadër ofron një realitet të heshtur dhe të kontrolluar, ku mungesa e lirisë nuk është vetëm fizike, por edhe mendore.

Një nga pikat më kritike të raportit është mungesa totale e transparencës rreth qendrës. Sipas “Domani”, të dhënat zyrtare nuk ekzistojnë, as për publikun dhe as për parlamentarët italianë që kërkojnë të vizitojnë strukturën. Deputetë dhe eurodeputetë që kanë tentuar të ushtrojnë të drejtën e tyre për kontroll janë përballur me pritje të gjata, vonesa të qëllimshme dhe pengesa të ndryshme.

Qendra në Gjadër ndodhet rreth një orë larg Tiranës, në një zonë të izoluar mes maleve dhe lumit Drin, një vend i zgjedhur me qëllim për të qenë larg syve të medias dhe opinionit publik. Sot, kjo strukturë po simbolizon gjithnjë e më shumë jo zgjidhjen e krizës migratore, por dështimin moral të saj.

Ky raportim tronditës ngre alarmin jo vetëm për Shqipërinë si vend mikpritës i kësaj qendre, por mbi të gjitha për Italinë dhe Bashkimin Evropian, të cilët, përmes marrëveshjeve të tilla, po e zhvendosin barrën e humanizmit në periferi, ndërsa në thelb po krijojnë hapësira ku dinjiteti njerëzor duket se asgjësohet në heshtje.

Published inLajme