Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se disa shtetas shqiptarë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në Izrael si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit, janë evakuuar me sukses dhe ndodhen tashmë në siguri në Egjipt.
“Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit. Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri”, ka informuar shefi i Diplomacisë shqiptare në njoftimin e tij.
Më tej, ministri Hasani ka sqaruar se procesi i largimit dhe kthimit të sigurt të shtetasve shqiptarë është mundësuar falë punës dhe koordinimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet angazhimit të Ambasadës së Shqipërisë në Tel Aviv dhe Ambasadës në Kajro.
Në fund të njoftimit të tij, ministri i Jashtëm Igli Hasani ka shprehur mirënjohjen për autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv për ndihmën e ofruar. Ai ka falënderuar gjithashtu autoritetet egjiptiane dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre në këtë operacion evakuimi. Ky veprim dëshmon përkushtimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare për të mbrojtur dhe asistuar shtetasit e saj në situata të vështira dhe kriza ndërkombëtare.