Këmbëngulja e Zamirës për të qëndruar në shtëpinë e kunatit, Bedriut, i cili e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” ka një histori nga pas. Gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan u tregua se ajo është një nënë e divorcuar me tre fëmijë. Bashkë me ta, ajo ka qëndruar për dhjetë vjet në shtëpinë e Bedriut, e cila është vetëm 64 metra katrorë.
Situata mes tyre është vështirësuar, por Zamira sërish s’pranon të largohet. Në të vërtetë, ajo ka një shtëpi të cilën e ka ndërtuar me ish-bashkëshortin në Vlorë, por në të jeton ai.
Zamira rrëfen e përlotur se ka kaluar shumë vuajtje dhe ka derdhur mund e sakrificë për atë shtëpi, por gjykata s’e ka lejuar të qëndrojë aty.
Ish-burri gjithashtu nuk ka kontribuar asnjëherë për vajzat, madje me ngashërimë, ajo kujton një episod kur ai nuk pranoi as të mbante të bijën në shtëpi.
Zamira: Vajza, më zuri apendiciti se po kërkoja shtëpi në Vlorë me qira. Kam vajtur me tri fëmijët në spital. Ditën e parë, ditën e dytë vjen drejtori i spitalit më thotë mua “çfarë bën këtu ti me tre fëmijë?”
Po kërkoj shtëpi, s’kam ku t’i çoj, më zuri apendiciti se po kërkoja shtëpi nëpër Vlorë dhe kur erdhi puna, nuk e harroj sa të vdes, ai nuk ma mori vajzën në shtëpi! Ma hodhi vajzën e vogël kështu, i thashë të paktën merre vajzën, mos të marrë sëmundje në spital. Mori vajzën, nuk e mbajti në shtëpi.
Eni Çobani: Babai i vajzave?
Zamira: Babai i vajzave. “Nuk e do gruaja”, tha. Dhe më ka lënë në spital me tre fëmijët. Kam ndenjur në spital me tre fëmijët, e madhja ishte 9, e vogla ishte 7 dhe e dyta ishte 1 vjeç e gjysmë kur unë jam ndarë.
Asnjë gjë fare, fare! Ia kam thënë edhe gjykatës, ia kam thënë edhe gjyqtarëve të gjithëve, po si ka mundësi more jeni bastardë, çfarë jeni? Si mund të lësh ti një grua, një nënë, një motër në mes të rrugëve me tre fëmijë dhe pa dhënë një kokërr leku, por gjithashtu edhe shtëpinë?