Një burim konfident brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit ka konfirmuar për “Pamfleti” se në janar 2025, zyra rezidente e FBI në BKH dhe SPAK i ka dorëzuar zyrtarisht Altin Dumanit një rekomandim të drejtpërdrejtë për nisjen e një hetimi paraprak lidhur me udhëtimet e kryeministrit Edi Rama me avionin çarter qeveritar “Ismaili”.
Ky rekomandim është shoqëruar me indicie konkrete, të mbledhura nga vetë FBI dhe nga shërbime të tjera inteligjente të vendeve partnere të BE-së dhe NATO-s, që kanë marrëveshje operative antikorrupsion dhe antimafia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht këtij kërkese të detajuar, drejtuesi i SPAK Altin Dumani nuk autorizoi asnjë lëvizje hetimore, nuk ngarkoi BKH për verifikime paraprake dhe deri më 20 prill 2025 nuk i është përgjigjur fare zyrës së FBI. Kjo heshtje, në dritën e një partneriteti të qartë transatlantik në luftën kundër krimit të organizuar, ka ngritur dyshime të forta për anësi personale, mbulim të figurave nën hetim, si dhe shkelje të drejtpërdrejta të detyrimeve ndërkombëtare.
Mosreagimi i Dumanit detyroi zyrën e FBI në Shqipëri të ndërmarrë një hetim paralel të pavarur, duke kërkuar informacion zyrtar për destinacionet reale, arsyet zyrtare dhe jozyrtare, si dhe për personat shoqërues në fluturimet me çarterin “Ismaili” – avion me status diplomatik, por me përdorim privat nga kreu i qeverisë shqiptare.
Që prej datës 25 prill 2025, agjentët e FBI kanë dërguar kërkesa zyrtare për dokumentacion te një sërë institucionesh shtetërore shqiptare. Konkretisht:
-Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar, si autoriteti që ka nënshkruar kontratën për përdorimin e çarterit dhe që menaxhon fondet për udhëtimet e kryeministrit;
-Kompanisë “Air Albania”, e cila ka në pronësi teknike avionin “Ismaili” dhe mban përgjegjësi për destinacionet dhe kalendarin e fluturimeve;
-Albcontrol-it, si autoriteti shtetëror që licencon dhe monitoron lëvizjen ajrore të avionëve brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe si ortak me 10% në “Air Albania”;
-Policisë së Shtetit, për të marrë të dhëna mbi bagazhet dhe itinerarët e hyrje-daljeve të avionit në Rinas, si dhe për pasagjerët që kanë shoqëruar Ramën në këto udhëtime ose kanë udhëtuar në mungesë të tij, me autorizim të posaçëm.
Gjithashtu janë kërkuar të dhënat e sistemit TIMS për çdo individ që ka shoqëruar kryeministrin në këto udhëtime ose që ka udhëtuar në mënyrë të pavarur me çarterin “Ismaili”, në mungesë të ndonjë zyrtari tjetër qeveritar.
Nuk dihet ende përse saktësisht FBI ka kërkuar këto të dhëna. Megjithatë, burimet tona konfirmojnë se hetimi po ecën pa praninë e SPAK, ndërsa natyra hermetike e fluturimeve, vendet ku është udhëtuar – si Stambolli, Ankara, Dubai, Abu Dhabi, Bjellorusia, Azerbajxhani dhe destinacione jashtë BE-së – dhe personat e përfshirë, janë elementë që nuk aktivizojnë kot FBI-në, përveçse kur ekzistojnë dyshime për veprimtari të rënda si pastrim parash, trafik ndërkombëtar, ose shkelje të sanksioneve dhe marrëveshjeve strategjike.
Kjo dinamikë vjen në një kohë kur ndaj Edi Ramës rëndojnë akuza publike për lidhje të ngushta me eksponentë të krimit të organizuar, të cilëve u ka dhuruar fonde publike, pasuri shtetërore, leje ndërtimi për kulla dhe resort-e, si dhe licenca strategjike në sektorë të mbyllur për qytetarët e zakonshëm.