Skip to content

‘Të më poshtërosh, të ka bërë…’ Veliaj me tjetër mesazh ‘të koduar’ nga burgu per ate qe e tradhtoi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim nën akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion në disa nga projektet më të mëdha të kryeqytetit, ka zgjedhur sërish rrjetin social TikTok – të ndaluar për përdorim nga qeveria shqiptare – për të lëshuar një tjetër mesazh të koduar, me tone hakmarrjeje dhe sfide, ndaj një personi ende të paidentifikuar publikisht.

Në videon e publikuar së fundmi në profilin e tij, Veliaj shkruan:
“Të më arrestosh dhe të përpiqesh të më poshtërosh, e di që të ka bërë të ndihesh mirë. Por karma gjithmonë e gjen rrugën për t’u kthyer, edhe nëse vonohet. Shpresoj vetëm që ata të jenë aq të fortë sa isha unë.”

Ky mesazh, i shoqëruar me pamje të errëta dhe muzikë dramatike në sfond, vjen si vazhdimësi e toneve të tensionuara dhe të nënkuptuara që Veliaj ka përdorur gjatë ditëve të fundit në komunikimet e tij publike, ku duket se i drejtohet dikujt specifik që e konsideron përgjegjës për “rrëzimin” e tij të papritur.

Në mbishkrimin e videos, Veliaj shton edhe një tjetër frazë me ngarkesë simbolike:
“S’kam zgjedhur kush hyn në këtë zyrë, i kam mirëpritur të gjithë. Sepse kështu e bën një Kryetar Bashkie.”
Kjo duket si një aludim për pasardhësin ose njerëzit që po përfitojnë nga mungesa e tij në krye të institucionit, ndoshta edhe për ndonjë “tradhëti” politike brenda radhëve të vetë mazhorancës.

Më herët, Veliaj kishte hedhur hije dyshimi mbi identitetin e personit që e kishte denoncuar në SPAK – një figurë e përfolur si “Nesti Angoni”, një emër ende anonim për publikun, që raportohet se ka qenë personi kyç në dërgimin e dosjes që nisi hetimet ndaj tij.

Edhe pse mesazhet e Veliajt nuk përmendin emra konkretë, gjuha që përdor, platforma e zgjedhur për komunikim dhe intensiteti emocional, tregojnë një lloj sfide ndaj atyre që ai i sheh si përgjegjës për arrestimin dhe rënien e tij politike. Qëndrimi i tij gjithashtu ngjall spekulime për çfarë pritet të ndodhë më tej – a do të flasë? A do të zbulojë emra? A është ky një paralajmërim i heshtur?

Për momentin, Veliaj vijon të mbetet në qendër të vëmendjes, edhe nga qelia, duke e kthyer TikTok-un në mjet komunikimi për atë që po duket si një betejë politike dhe personale e hapur, ende larg përfundimit.

Published inLajme