Gazetari i njohur Bledi Strakosha ka qenë i ftuar këtë të dielë në emisionin “S’e Luan Topi”, ku ka ndarë me publikun një bisedë të ngrohtë dhe plot nostalgji mbi fillesat e tij në ekran, përvojat e para në media dhe disa kujtime të veçanta nga karriera dhe jeta e tij personale.
Në një atmosferë të çlirët dhe plot humor, Strakosha tregoi një episod që e ka lënë gjurmë në kujtesën e tij: një moment i paharrueshëm me këngëtaren legjendare të muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku.
Teksa biseda mori rrjedhën drejt viteve të rinisë së gazetarit, Strakosha ndau një kujtim me shumë emocion dhe humor. Ai rrëfeu se kishte pasur fatin të takohej me Parashqevi Simakun në kulmin e famës së saj dhe se gjatë atij takimi, ajo e kishte përshëndetur me një puthje në faqe. Por pjesa më pikante e rrëfimit ishte reagimi i tij pas këtij momenti.
“E mbaj mend si sot, më puthi në faqe dhe unë nuk e lava atë faqe për 10 ditë me radhë,” tregoi me një buzëqeshje të sinqertë Bledi, duke shkaktuar të qeshura në studio.
Moderatorja Eriona Rusi, e habitur nga kjo deklaratë, e pyeti me shaka: “Nuk e lave për 10 ditë?!” dhe ai iu përgjigj menjëherë: “Jooo!” – duke shpjeguar më tej se e lante pjesën tjetër të fytyrës, por faqen ku kishte marrë puthjen nga Parashqevi, e ruante me kujdes sikur të ishte një thesar i çmuar.
“E laja vetëm këtej,” – tregoi ai duke bërë me duar lëvizjen që tregonte se kishte larë vetëm njërën faqe dhe ballin, ndërsa faqen e puthur e kishte lënë të paprekur. “Ishte një moment magjik.
Parashqevia në atë kohë ishte një yll i vërtetë, një ikonë e vërtetë e muzikës shqiptare, një divë e skenës. Dhe ishte aq e ëmbël… Ato duart e saj! Vetëm duart e nënës sime janë kaq të buta sa të sajat,” u shpreh Bledi me shumë përzemërsi, duke treguar edhe një anë të tij të ndjeshme dhe nostalgjike.
Ky rrëfim i sinqertë dhe plot emocione të gazetar Bledi Strakosha jo vetëm që shkaktoi të qeshura e ngrohtësi në studio, por edhe preku telat e kujtimeve për një brez të tërë që është rritur me këngët dhe figurën brilante të Parashqevi Simakut, një artiste që vazhdon të mbetet simbol i klasit dhe finesës në skenën shqiptare.