Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, ka komentuar procesin e përzgjedhjes së kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke shprehur bindjen se emërimi përfundimtar do të jetë një vendim i Kryeministrit Edi Rama, pavarësisht lobimeve të ndryshme.
Berisha tha se disa emra po qarkullojnë si kandidatë, duke përmendur mundësinë e emërimit të ish-kryepo,licit Haki Çako, dhe shtoi se Rama nuk do të lejojë një person jashtë kontrollit të tij në këtë post kyç. Ai ngriti gjithashtu pyetjen nëse Ardi Veliu, ish-drejtues i lartë i poli.cisë, ka garuar për këtë pozicion, duke sugjeruar se ai mund të ketë qenë një kandidat rezervë. Berisha pyeti se kush i sugjeron këto emra kryeministrit, duke ironizuar se nuk “u mbijnë nga qielli”.
Lidhur me zgjedhjet e 11 majit, Berisha ka ripërsëritur akuzat për manipulime të mëdha, duke thënë se të gjitha strukturat e PD-së janë të angazhuara në identifikimin, verifikimin dhe certifikimin e asaj që ai e quan “farsë elektorale”. Ai pretendoi se qeveria ka ngritur një propagandë mashtrimi për të mbuluar manipulimet, por sipas tij, faktet e përditshme po e zbulojnë të vërtetën.
Berisha ka kritikuar ashpër ata që ai i quajti “pseudointelektualë” dhe “mer.cenarë të paguar nga kri.mi” për përpjekjet e tyre për të mbrojtur rezultatin e zgjedhjeve dhe për të fajësuar opozitën. Ai e cilësoi këtë si amoralitet mediatik dhe tha se këta individë janë “pengje të së shkuarës dhe të vetes së tyre” të detyruar të marrin pjesë në një fushatë avokatie për kri.min më të madh elektoral në Europë pas rënies së Perdes së Hekurt.
Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve, Berisha pretendoi se Edi Rama, përmes shtetëzimit të votës së diasporës, është shumë pranë nivelit të votave të liderit sirian Bashar al-Assad, duke thënë se në Fier, përqindja e votave për Ramën ishte afër 93%, ndërsa Asadi para largimit nga Siria kishte 95%. Berisha përfundoi duke thënë se Këshilli Kombëtar i PD-së dhe anëtarësia e saj, së bashku me 600 mijë qytetarë që nuk votuan Ramën, janë pjesë e këtij “gjyqi publik” ndaj farsës elektorale.