Pas zhdukjes së disa projekteve muzikore nga platforma YouTube, këngëtarja Egli Tako ka thyer heshtjen me një reagim të sinqertë dhe sqarues për ndjekësit e saj, të cilët kanë shprehur mbështetje dhe kuriozitet mbi këtë situatë.
Në një deklaratë publike, Egli ka sqaruar se, ndonëse ishte pjesë e këtyre projekteve si interpretuese, ajo nuk ka qenë autore e këngëve dhe, për pasojë, nuk gëzon të drejta pronësie mbi to. Sipas saj, vendimi për të fshirë këngët është marrë nga autorja e tyre, për arsye personale, dhe nuk ka qenë një iniciativë e saj.
Postimi i plotë i Egli Tako-s:
“Po, duhet t’ju jap një shpjegim për shkak të gjithë përkrahjes dhe dashurisë tuaj ndaj meje, edhe pse s’jam autore e këtyre dy këngëve dhe nuk kam të drejta mbi to.
Unë jam e ftuar në këngë, njësoj si DJ Gimi-O. Është një bashkëpunim ku të drejtat e projektit i takojnë autorit, i cili e posedon në kanal — në rastin konkret, Fifi.”
Ky sqarim vjen në një moment kur fansat kishin nisur të spekulonin për arsyet e zhdukjes së projekteve nga platforma. Me këtë mesazh, Egli ka kërkuar të qartësojë rolin e saj në bashkëpunime dhe të theksojë se vendimet e tilla janë jashtë kontrollit të saj.
Ky reagim u prit me mirëkuptim nga ndjekësit, të cilët kanë vijuar ta mbështesin këngëtaren në karrierën e saj muzikore.