Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur pasditen e sotme në Tiranë, duke u shoqëruar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit drejt hotelit ku do të akomodohet gjatë qëndrimit në kryeqytet. Mësohet se ekipi serb ka mbërritur pas orës 14:00 dhe është akomoduar në një hotel pranë zonës së njohur si “Pallati me Shigjeta”.
Që nga momenti i zbritjes në Rinas, e gjithë delegacioni serb është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga forca të shumta policore, me qëllim parandalimin e çdo incidenti të mundshëm. Autoritetet shqiptare kanë marrë seriozisht masat e sigurisë për këtë ndeshje të rëndësishme kualifikuese kundër kombëtares shqiptare.
Përveç sigurisë së ofruar nga Policia e Shtetit, ekipi serb ka gjithashtu në përbërje të delegacionit të tyre edhe staf të posaçëm të sigurisë. Një detaj interesant është se ashtu si shumë ekipe të tjera ndërkombëtare, edhe kombëtarja serbe ka udhëtuar drejt Tiranës me kuzhinierin e tyre personal. Kjo nuk lidhet vetëm me një mosbesim të mundshëm ndaj ushqimit të ofruar nga hoteli ku do të qëndrojnë, por kryesisht me nevojën e ekipit për të konsumuar kaloritë dhe dietën e duhur përpara një ndeshjeje që konsiderohet vendimtare për pozicionin e dytë në Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës, ku Shqipëria dhe Serbia pritet të jenë rivale të ngushta deri në fund.
Masa të rrepta sigurie janë paralajmëruar edhe ditën e enjte nga Policia e Shtetit, duke përfshirë kontrolle të imtësishme për tifozët që do të hyjnë në stadiumin “Arena Kombëtare”. Rreth 2 mijë efektivë policie do të jenë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa rrugët pranë stadiumit do të jenë të bllokuara për automjetet.