Marrëdhënia mes Elon Musk dhe Donald Trump ka hyrë në një fazë përplasjesh të hapura dhe publike. Në një postim të drejtpërdrejtë në platformën X, në pronësi të vetë Musk, miliarderi lëshoi një akuzë të fortë ndaj ish-presidentit amerikan, duke sugjeruar se Trump është pjesë e famëkeqes “listë Epstein”.
“Trump është në listën Epstein. Kjo është arsyeja pse ajo listë nuk u bë kurrë publike”, shkruan Musk, duke e përfunduar mesazhin me një ironi therëse: “Mirëmëngjes, zoti President!”
Në një tjetër postim të shkurtër por me ton paralajmërues, Musk shton: “Shënojeni këtë post për të ardhmen. E vërteta do të zbulohet.”
Deklaratat e Musk vijnë pasi Donald Trump e akuzoi atë për ndikim negativ në zgjedhjet e fundit, konkretisht për humbjen në shtetin e Pensilvanisë. Sipas Trump, donacione të mëdha për fushatat demokrate – rreth 280 milionë dollarë – të lidhura me Musk, kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Por Musk nuk e la pa përgjigje: “Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet, demokratët do të kishin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe republikanët do të ishin 51-49 në Senat,” shkruan ai, duke e përmbyllur me një koment plot zhgënjim: “Një mosmirënjohje e tillë.”
Përplasja mes dy figurave më të njohura në politikën dhe biznesin amerikan po zhvillohet në sytë e publikut, përmes platformës që Musk e përdor gjithnjë e më shpesh si arenë për konfrontime politike dhe personale.
Kujtojmë se Jeffrey Epstein, i ndjerë në rrethana të dyshimta në burg, ishte i njohur për lidhjet e tij me shumë figura të profilit të lartë në botën politike, akademike, mediatike dhe të modës, përfshirë ish-presidentë amerikanë dhe personalitete mbretërore.
Akuzat për përfshirje në rrjete pedofilie e kanë bërë “listën Epstein” një dokument të shumëpritur dhe të debatuar në SHBA. Me deklaratat e fundit të Musk, ky debat vetëm sa ka marrë zjarr.