Juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu ka komentuar me tone kritike performancën dhe strategjinë e partive të reja në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke i akuzuar ato për mungesë vizioni dhe përçarje të brendshme që, sipas tij, i kanë kushtuar rëndë mundësisë për të ofruar një alternativë reale ndaj dy blloqeve të mëdha të politikës së konsumuar shqiptare: Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe grupimit të Sali Berishës.
Në një intervistë për “Report TV”, Spahiu theksoi se partitë e reja duhej të kishin gjetur gjuhën e bashkimit dhe të kishin ndërtuar një front të përbashkët opozitar, në vend që të rivalizonin mes njëra-tjetrës në mënyrë destruktive. Sipas tij, klima politike dhe elektorale ishte ideale për të goditur sistemin e vjetër, por në vend të një aleance strategjike, dominuan interesat personale dhe konfliktet e brendshme.
“Partitë e reja arritën të çojnë nga një deputet në Kuvend, por kjo është shumë pak krahasuar me potencialin që kishin. I gjithë elektorati gri kërkonte një opozitë të re, një ofertë që të mos vinte nga Berisha dhe Meta, por këto parti të reja kishin më shumë inat ndaj njëra-tjetrës sesa ndaj atyre që pretendonin se donin t’i rrëzonin. U përçanë mes vete në mënyrë të pakuptimtë. Disa nga liderët e këtyre partive nuk donin të bashkëpunonin sepse e shihnin njëri-tjetrin si kërcënim për ego personale, jo si aleat për ndryshim,” – u shpreh Spahiu.
Ai shtoi se situata pas zgjedhjeve të 11 majit ka prodhuar një realitet të ri ku disa nga aktorët politikë tradicionalë janë shuar ose kanë humbur fuqinë politike, dhe kjo duhej të ishte përkthyer në një hapësirë që partitë e reja ta kishin kapitalizuar.
“Është paradoksale. Në këto zgjedhje u shkri Partia e Lirisë, e cila në zgjedhjet e kaluara kishte 19 deputetë. U tret edhe PDIU, që kishte 5 deputetë. Lulzim Basha, ish-kandidat për kryeministër, sot nuk ekziston më politikisht. Të gjitha këto hapësira u lanë bosh. Dhe partitë e reja nuk ditën ose nuk deshën t’i mbushnin. Ishte një moment historik për t’u çuar kundër të vjetrës, dhe ato vendosën të hanë njëra-tjetrën,” – deklaroi Spahiu.
Ai nënvizoi se, për herë të parë pas shumë vitesh, kishte një klimë të favorshme për një rikonfigurim të spektrit politik, ku partitë e reja kishin mundësinë të krijonin një opozitë të fortë dhe të unifikuar. Por, sipas tij, në vend që të ndërtonin një urë, ndërtuan mure.
“Unë kam qenë gjithmonë mbështetës i partive të reja dhe i alternativave që vijnë jashtë establishmentit të vjetër, por këto forca politike duhet të kishin pjekurinë për të kuptuar momentin. Nuk mund të kërkosh ndryshim kur lufton më shumë kolegun që ke pranë, sesa kundërshtarin që ka 20 vite që mban pushtetin,” – përfundoi ai.
Spahiu ngre kështu alarmin se nëse partitë e reja nuk reflektojnë mbi gabimet e kësaj fushate dhe nuk nxjerrin mësime nga ky dështim i bashkëpunimit, ato rrezikojnë të mbeten simbolikë të përçarjes, jo të ndryshimit.