Përgjatë kësaj jave qyteti i Durrësit u bë kryeqendra e aksioneve goditëse të SPAK dhe Policisë së Shtetit ndaj grupeve kriminale, të cilat kishin shtrirje përtej Shqipërisë.
Pas megaoperacionit i emërtuar “Ura”, tek i cili u lëshuan 52 urdhër arreste, një tjetër grup u godit dhe pjesë e tij ishin emra të njohur të botës së krimit.
Tre nga të arrestuarit në operacionin në Durrës janë persona të rrezikshëm që ishin në kërkim për vepra të renda penale.
Xhevdet Plaku ishte një nga të shumëkërkuarit nga policia shqiptare dhe drejtësia italiane, pas arratisjes nga burgu i Ankonës në janar të këtij viti.
Flobens Meçja nga Shkodra ishte paguar 5 milionë euro nga Çopjat e Elbasanit për të vrarë Erjon Aliebejn. Ndërsa Voltan Xhani, dyshohet për vrasjen e Elis Roshkodolit, në gushtin e kaluar në Shkodër.
Dy aksionet e fundit u komentuan nga eksperti kriminalistik Artan Rexhepi, i cili ishte i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News.
Ai theksoi se bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare me shërbimet partnere është shumë i suksesshëm.
“Bashkëpunimi me aleatët dha rezultat të shkëlqyera. Operacioni i SPAK është sukses. Italianët hetojnë shumë gjatë dhe mund të të vijnë ditën e dasmës, janë gjëra me prova dhe nuk do ketë firo në gjykatë. Operacioni i suksesshëm padiskutim.”, theksoi ai.
Eksperti i kriminalistikës theksoi se me aksionet e fundit duket se edhe policia shqiptare është “trimëruar” përballë grupeve kriminale, të cilat veprojnë në Shqipëri dhe vende të ndryshme të Evropës.
“Ky operacionin e fundit, duket sikur e trimëroi policinë. Është kapur kombëtarja e krimit, me gjithë rezervat. Legjislacioni duhet forcuar për të penguar krimin. Për zgjedhjet pari një periudhë qetësie”, tha ai.
Policia e Shtetit ka bërë publike pamjet nga operacioni i arrestimit të disa personave të cilët i konsideron me rrezikshmëri të lartë.
Duket se të dyshuarit po drekonin në një resort luksoz në Gjirin e Lalzit dhe u arrrstuan në befasi teksa po konsumonin krudo.
Pamjet e shpërndara nga Policia tregojnë momentet e ndërhyrjes së forcave operacionale të armatosura, të cilat urdhërojnë personat në tavolinë të shtrihen barkaz.
Ky aksion erdhi pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, që sinjalizonin praninë e disa individëve në kërkim në këtë zonë turistike.
TË ARRESTUARIT
Xhevdet Plaku, 45 vjeç, nga Durrësi – i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për trafik ndërkombëtar droge dhe i arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025. Gjatë arrestimit iu gjet një pistoletë me fishek në fole.
Flobens Mecia, i njohur edhe si “Gega” dhe “Drini”, 43 vjeç, nga Shkodra – i kërkuar nga SPAK për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe sigurim kushtesh për vrasje. U kap me dokumente të falsifikuara dhe armë zjarri me fishek në fole.
Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet dhe rezident në Holandë – në kërkim për trafik të mjeteve motorike dhe i përfshirë në një hetim për vrasje në Shkodër. Në çantën e tij u gjet një armë zjarri.
Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet – akuzohet për mbajtje pa leje të armëve, moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit. U sekuestrua një armë zjarri me municion.
O. H., 38 vjeç, nga Mamurrasi – nën hetim për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit.
F. Q., 36 vjeç, nga Tirana – nën të njëjtat akuza si më sipër.
A. H., 45 vjeç, gjithashtu nga Mamurrasi – i dyshuar për të njëjtat vepra penale.
