Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në burgun e Torinos, ku emigranti 42-vjeçar maroken, Hamid Badoui, i dha fund jetës duke u vetëvarur me lidhëset e këpucëve. Vetëvrasja ndodhi vetëm pak ditë pasi ai ishte rikthyer nga kampi i Gjadrit në Shqipëri, ku ishte mbajtur për rreth një muaj në pritje të deportimit.
Sipas burimeve ligjore, Badoui ishte shprehur vazhdimisht i tmerruar nga ideja e një rikthimi në atë kamp, të cilin e përshkruante si “më keq se burgu”. “Më mirë në një burg sesa në atë CPR,” kishte deklaruar ai përpara vetëvrasjes, sipas avokatit mbrojtës.
Prej 13 vitesh, ai jetonte në rajonin e Piemonte-s në Itali, por për shkak të problemeve me varësinë nga droga dhe përfshirjen në vepra penale të lehta, përfundoi në listën e personave për deportim. Autoritetet italiane, pas refuzimit të azilit, e dërguan në qendrën për riatdhesim në Gjadër, një hapësirë e kritikuar prej kohësh për kushtet çnjerëzore dhe izolimin ekstrem.
Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh të forta në opinionin publik italian. Përfaqësues të opozitës e kanë cilësuar si një dështim të thellë të politikave migratore të qeverisë së Giorgia Melonit, duke kërkuar hetim të menjëhershëm për kushtet dhe përgjegjësitë.
Organizata “Amnesty International Italia” ka reaguar me tone të ashpra duke e quajtur këtë rast një tjetër dëshmi se “modeli Meloni” për menaxhimin e emigracionit nuk sjell siguri, por “vuajtje dhe vdekje”. Amnesty i ka bërë thirrje autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare të rishikojnë bashkëpunimet për qendrat e pritjes dhe deportimit.
Rasti i Badouit është kthyer në simbol të politikave të ashpra kufitare, dhe me gjasë do të hapë një debat të ri për rolin që luan Shqipëria në sistemin evropian të përjashtimit të emigrantëve të padëshiruar.