Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, e mbajtur pas përfundimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, kryeministri Edi Rama shkaktoi një moment të sikletshëm, që nuk kaloi pa u vënë re nga mediat dhe opinioni publik.
Teksa fliste me nota miqësore për raportin e mirë dhe afërsinë politike mes tij dhe Frederiksen, Rama u shpreh:
“Të dy jemi socialistë. Ndoshta jo socialistët më të mirë, por ne fitojmë zgjedhjet.”
Menjëherë pas kësaj deklarate, homologja daneze ndërhyri me qetësi dhe e korrigjoi kryeministrin shqiptar:
“Unë nuk jam si ty, socialiste,” – tha Frederiksen, duke buzëqeshur por me një ton të prerë që e la Ramën të habitur.
“Nuk jeni socialiste?” – reagoi ai i çuditur, ndërsa Frederiksen sqaroi qartë:
“Unë jam socialdemokrate.”
Ky sqarim i menjëhershëm theksoi ndryshimin në pozicionimin ideologjik të dy krerëve të qeverive, pavarësisht se të dyja partitë i përkasin spektrit të majtë politik. Ndërsa në shumë vende termat “socialist” dhe “socialdemokrat” përdoren ndërsjelltas, në kontekstin politik të Europës Veriore – dhe veçanërisht në Danimarkë – dallimi midis tyre është i rëndësishëm dhe thelbësor.
Pas këtij momenti të sikletshëm, konferenca vijoi me temat e parashikuara, duke u përqendruar tek bashkëpunimi rajonal, siguria në kontinentin evropian, integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe sfidat gjeopolitike në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Ky episod, sado i vogël në dukje, u bë shpejt pjesë e komenteve në rrjetet sociale dhe u interpretua si një gafë diplomatike nga ana e Ramës, që e ngatërroi orientimin politik të një prej lidereve më të rëndësishme të Evropës Veriore në një konferencë zyrtare me praninë e mediave ndërkombëtare.