Gazetari Nikoll Lesi, i ftuar në podcastin “Të Pashoq”, ka hedhur dritë mbi lëvizjet e pritshme të SPAK lidhur me goditjen e krimeve zgjedhore dhe fenomenin e blerjes së votave.
Sipas Lesit, SPAK ka mbledhur të dhëna të rëndësishme dhe është duke përgatitur një goditje që do të shërbejë si shembull për zgjedhjet e ardhshme. Ai la të kuptohet se një personazh i njohur do të bëhet “kurban” i drejtësisë për të dhënë mesazhin se blerja e votës nuk do të tolerohet më.
“SPAK ka nisur një seri hetimesh, ka bërë arrestime në Kukës, Fier, Shkodër, ka zhvilluar kontrolle… por pritet edhe spektakël në ditët në vijim. Janë mbledhur dosje, incizime nga të gjitha kampet politike. Unë kam informacion se një emër i madh do të dalë para drejtësisë për të trembur të tjerët nga aventurat elektorale me para,” u shpreh Lesi.
I pyetur nëse di për emra konkretë, ai u tregua i rezervuar, duke e cilësuar informacionin si “konfidencial”. Megjithatë, ai nuk e fshehu pritshmërinë se SPAK do të veprojë në mënyrë demonstrative:
“SPAK do të bëjë shembull dikë, që nesër askush të mos guxojë të shpërndajë para për vota. Që të rikthehet frika dhe të bëhet ligji,” theksoi Lesi.
Këto deklarata vijnë në një moment kur institucionet e drejtësisë ndodhen nën presion publik për të vepruar ndaj fenomenit të deformimit të votës, një plagë e përsëritur në zgjedhjet shqiptare. Tashmë mbetet për t’u parë se kush do të jetë emri që do të “flijohet” në këtë betejë të paralajmëruar nga gazetari.