SPAK ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Pandeli Bozha, babai i kandidates së PSD-së, Limonera Bozha. SPAK bën me dije se ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje” ndaj këtij shtetasi.
“Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00, shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej.
Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartëmonedhë”, bëri me dije SPAK përmes një njoftimi.
Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L.