Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur vendin pasi dy të rinj humbën jetën në fshatin Holtë të Njësisë Administrative Poroçan në bashkinë e Gramshit, gjatë punës në një kantier ndërtimi të një hidrocentrali që po ndërtohet nga një kompani private. Sipas të dhënave, viktimat janë Abas Basha, 22-vjeç, dhe Egzon Lleshi, 32-vjeç.
Paraprakisht dyshohet se të rinjtë kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu, ndërsa ndodheshin në vendin e punës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje si dhe për të dokumentuar ligjërisht shkeljet eventuale të protokolleve të sigurisë.
Ngjarje të tilla, si dhe ajo e Klosit, e nxjerrin në pah mungesën e mbikëqyrjes së institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit të sigurisë në punë, veçanërisht në kantieret e kompanive private, ku shpesh mungojnë kontrollet dhe punëtorët përballen me rreziqe për jetën.
Gramsh/Informacion paraprak/Në fshatin Holta, gjatë punës në një kantier ndërtimi, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur një masiv dheu, dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit Abas Basha 22-vjeç dhe 32-vjeçari Egzon Lleshi Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Pak ditë më parë një tragjedi e tillë ka ndodhur në Klos, ku shembja e një masivi minerali, zuri poshtë një 29-vjeçar që po punontë aty me fadromë. Trupi i pajetë i Ardit Beshirit u gjet pas 6 ditësh kërkimesh, që u asistuan edhe nga Forcat Speciale të Kosovës.