Në atmosferën gjithnjë e më të tensionuar të fushatës për zgjedhjet e 11 majit 2025, një vlerësim krejt ndryshe nga analiza politike ka ardhur nga astrologia e njohur Meri Gjini. E ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, ajo ka dhënë një parashikim astrologjik që, sipas saj, hedh dritë mbi ecurinë dhe fatin e dy figurave kyçe të politikës shqiptare: Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Gjatë intervistës, Meri Gjini tha se pozicionimi aktual i planetëve flet qartë për një epërsi të ndjeshme të kryeministrit në detyrë, Edi Rama, ndërsa Berisha ndodhet nën një ndikim të vështirë planetar që, në astrologji, konsiderohet si paralajmërim për tensione, përplasje dhe pengesa serioze në realizimin e synimeve.
Sali Berisha – Shenja e Peshores, nën hijen e Marsit dhe Plutonit
Sipas astrologes, ndonëse Berisha i përket një shenje ajri, e cila teorikisht është e favorizuar këtë periudhë nga planeti i fatit, realiteti astrologjik është më kompleks. “Në hartën e tij personale, Marsi – planeti i veprimit dhe konfliktit – ndodhet aktualisht në përputhje të drejtpërdrejtë me Plutonin e tij, që përfaqëson kontrollin, pushtetin dhe transformimin,” shpjegon Gjini.
“Kjo përputhje nuk është aspak e lehtë. Marsi mbi Pluton prodhon tension të lartë, përplasje me autoritetet, pengesa për të ecur përpara, dhe rrezik për konfrontime të forta. Për Berishën, kjo tregon një klimë ku aksionet hasin rezistencë të fortë, madje edhe rreziqe.”
Edi Rama – Shenja e Gaforres, në sinkron me Venusin dhe Hënën
Nga ana tjetër, yjet duket se rreshtohen shumë më harmonikisht për Edi Ramën. Meri Gjini theksoi se “planeti i fatit ndodhet aktualisht mbi Venusin e tij, çka për një politikan është shenjë e popullaritetit, harmonisë me elektoratin dhe mbështetjes publike.”
Ajo shton se në natën e zgjedhjeve, më konkretisht në orët e para të 12 majit, “Mërkuri – planeti i komunikimit – kalon mbi Hënën e tij, simbol i ndjenjave dhe kontaktit me njerëzit. Kjo përkthim astrologjik flet për një komunikim të qartë, ndikim emocional pozitiv dhe përforcim të lidhjes me publikun në momentet më kritike.”
Sipas interpretimit të astrologes, ndërsa Berisha përballet me një periudhë konfuze dhe sfiduese, Rama gëzon një mbështetje të fortë energjetike, të cilën yjet e paraqesin si avantazh në një garë të fortë politike.
“Energjia e qiellit i jep Ramës qartësi, favorizim dhe një rrjedhë të butë të ngjarjeve. Berisha, përkundrazi, do të duhet të përballet me një luftë të vështirë për të thyer barrierat që i vendosin yjet,” përmbyll Meri Gjini analizën e saj.
Ky parashikim astrologjik, edhe pse i natyrës metafizike, vjen në një kohë kur zhvillimet politike janë tejet të paqarta dhe çdo sinjal – qoftë edhe nga yjet – e bën garën edhe më interesante për publikun shqiptar.