Skip to content

E kishte kthyer si skllave italianen. E mbante si qen te mbyllur e te lidhur ne shtepi, zbulohet rasti makaber ne Fier

Një ngjarje shqetësuese është zbuluar në Cakran të Fierit, ku Policia ka vënë në pranga një 27-vjeçar me precedentë penalë, i cili akuzohet për dhunë fizike dhe mbajtje të paligjshme të bashkëjetueses së tij, një shtetase italiane.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Fierit, i riu, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, kishte izoluar dhe dhunuar bashkëjetuesen e tij italiane në banesën e tij në fshatin Cakran, duke e mbajtur kundër vullnetit të saj. Ai ka një të kaluar problematike me drejtësinë, pasi rezulton i dënuar më parë për vepra të rënda si dhunë në familje dhe vjedhje.

Ngjarja mori një kthesë kur Zyra e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë njoftoi autoritetet shqiptare për një rast të dyshuar të mbajtjes peng dhe dhunës ndaj një shtetaseje italiane.

Menjëherë pas këtij alarmi, u aktivizuan strukturat e posaçme të Policisë së Shtetit. Njësia “Shqiponja”, në bashkëpunim me forcat speciale dhe në koordinim të ngushtë me autoritetet italiane, organizoi një operacion emergjent në terren.

Pas ndërhyrjes në zonën e identifikuar, policia bëri të mundur lokalizimin dhe ndalimin e autorit në tentativë për t’u larguar me një automjet të marrë me qira.

Gjatë operacionit, shtetasja italiane u shpëtua dhe iu dorëzua përfaqësuesve të Konsullatës italiane. Fatmirësisht, ajo ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa autoritetet po vijojnë mbështetjen e saj psikologjike dhe ligjore.

Ndaj 27-vjeçarit tashmë rëndon akuza për “Dhunë në familje” dhe hetimet po thellohen për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me një rast më të gjerë abuzimi apo trafikimi. Prokuroria pranë Gjykatës së Fierit ka marrë në dorë dosjen dhe pritet të kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg” për të riun, i cili konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kjo ngjarje ka ngritur sërish alarmin për rastet e dhunës ndaj grave dhe bashkëjetesave të huaja në Shqipëri, si dhe për nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar në raste të tilla emergjente.

Published inLajme