Nën masa të rrepta sigurie nga momenti i nisjes deri në mbërritjen në Rinas, Florenc Çapja ka prekur sot tokën shqiptare teksa ndaj tij ka një masë arresti me burg si porositës i tre vrasjeve. Ai rrethohej gjatë gjithë kohës nga oficerë policie si në aeroportin e Dubait ashtu dhe në Rinas, ku është pritur nga të tjera forca sigurie.
Policia njoftoi se si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Florenc Çapja, 44 vjeç, të lindur në Elbasan.
44-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar F. Ç., dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë.
Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar, për vijimin e operacioneve policore me objektiv lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.