Skip to content

Drama politike vazhdon, mbyllet seanca, nuk ka as propozim për kryeparlamentar

Ka përfunduar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë ka përfunduar brenda një periudhe shumë të shkurtër, pasi nuk vazhdoi as edhe propozimi për kandidat apo kandidate për kryetar apo kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Avni Dehari, kryesuesi i seancës konstituive, ishte ai i cili e përfundoi seancën pasi nuk pati vota të mjaftueshme për formimin e komisionit për votimin e fshehtë që u propozua nga ai.

Partitë opozitare e kundërshtuan propozimin e tij, PDK, LDK dhe AAK.

Për këtë pikë ishin për vetëm 55 vota.

Abdixhiku i ashpër: Të takojnë, të mashtrojnë – është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili refuzoi ftesën e Albin Kurtit për takim, ka dalë me një reagim pas ndërprerjes së seancës, ku nuk kaloi propozimi për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

Abdixhiku tha se qasja e tillë politike duhet të refuzohet, raporton Klankosova.tv.

Pa iu drejtuar kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, Abdixhiku ka tentuar të arsyetojë refuzimin e ftesës, duke shtuar se “këta të takojnë dhe të mashtrojnë”.

“A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim?

Të takojnë, të mashtrojnë!

Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë.

Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë!

Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin!

Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund!

Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë.

LDK e ka të qartë.

Prandaj është konsistente.

Para, gjatë e pas zgjedhjeve.

Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!” – ka shkruar Abdixhiku.

Murati sërish shpjegon Kushtetutën, thotë se vota e deputetit nuk duhet detyruar

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur edhe sot të shpjegojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e arsyetuar vendimin e sotëm për propozim votimin e fshehtë.

Ai po fajëson ish-partitë opozitare për bllokim të procesit, ndërsa dhe konfirmoi se nuk kanë ende asnjë marrëveshje me deputetët tjerë, transmeton klankosova.tv.

”Ende pa e dëgjuar kandidatin, vendosën që të dalin kundër. Besoj që Glauk Konjufca do ta propozonte përsëri Albulena Haxhiun. Por ata refuzuan ende pa u propozuar kandidati”.

”Kryeministri Kurti ka ftuar dy partitë më të mëdha, sepse duhet gjetë një rrugë përpara. Kemi parë që LDK s’ka ardhë në takim, bile mezi s’kanë pritë të përgjigjen kundër, PDK erdhi në takim por përsëritën argumentin e tyre”.

”Është neni 67 që flet për kryetarin dhe nënkryetarët. Dallimi i vetëm në Kushtetutë është hierarkia”.

”Përgjigja ynë është në kuadër të kësaj mënyre. Sa i përket asaj se pse ata e kundërshtuan votimin, flet më tepër për ata dhe mosbesimin që ata duan ta ushtrojnë mbi deputetët e tyre”.

Kadrijaj: Kosova po mbetet peng e Haxhiut

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se LVV ka një tendencë që të bëjë një cirk Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se kjo parti duhej të siguronte 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, dhe të ndryshojë emrin e Albulena Haxhiut për kandidate për kryetare të Kuvendit.

“Kosova po mbahet peng për një kandidat, AAK-ja ka dashtë të bëjë zgjidhje i ka propozuar dy emra, të cilët vet LVV nuk i ka pranuar”.

“Ata janë lidhur me një emër që është emri i Albulena Haxhiut, e cila tentohet disa herë dhe nuk merr votat e mjaftueshme, ishte dashtë të tërhiqet dhe t’i jepet rrugë ndonjë kandidati që do të mund të merrte votat e deputetëve qoftë të PDK-së, LDK-së dhe AAK. Tash Kosova duhet të mbetet peng e Albulena Haxhiut”, ka thënë Kadrijaj.

Related article  VIDEO/ Tremb Rey Manaj, humb ndjenjat në fushë vetëm pas 3 minutash lojë

Ajo ka thënë se AAK-ja sërish ishte kundër votimit të Haxhiut dhe i pati qëndrimet e njëjta.

Limaj thotë se nuk merr pjesë në procese votimi ku ka shkelje

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas mbylljes së seancës konstituive ku u propozua votimi i fshehtë, deklaroi se kryetari i Kuvendit zgjidhet me votë të hapur dhe se subjekti i tij nuk merr pjesë në asnjë proces votimi ndryshe ku ka shkelje.

Ai shtoi se nuk zgjidhen organet e rendit pa shumicë parlamentare dhe bëri thirrje që të dialogohet.

“Për tema nacionale gjithmonë duhet të dialogohet. Njerëzit duhet të takohen, të bashkëbisedojnë, të pajtohen ose jo”.

“Unë jam për një politikë racionale nga e cila përfiton qytetari i Kosovës. Jo politika reaguese me mllef e motive tjera”, theksoi Limaj.

Bajrami (LDK): Asnjëherë në histori të Kosovës nuk u propozua zgjedhja e kryetarit të Kuvendit me vota të fshehta

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se është e papranueshme që të bëhet një votim i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në një paraqitje për media, ajo ka thënë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës.

Memli Krasniqi: Albulena Haxhiu nuk kalon, pikë

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi është shprehur i shqetësuar me insistimin e Vetëvendosjes që Albulena Haxhiu të votohet për kryeparlamentare të Kuvendit.

Ai shprehu madje keqardhje sesi u propozua votimi I fshehtë kur ka vetëm një kandidat, transmeotn klankosova.tv.

”Ata shkuan sot edhe bënë shkelje të hapur kushtetuese. Absolutisht e paligjshme dhe jokushtetuese. Po më vjen keq në çfarë pozite po e vendosin Avni Deharin veç po e përdorin”.

”Po më vjen keq se për Albin Kurtin më e rëndësishme është Albulena Haxhiu se Kosova”.

”Është e turpshme, e pahijshme, është fyese për qytetarët që e kanë votuar”.

”Ka kuptim votimi i fshehtë kur janë dy kandidatë, por në këtë situatë jo”.

”Edhe këta janë duke e kuptu që janë ka bohen horë”.

”Nuk kalon Albulena Haxhiu, e din Kurti – secili deputet, secili votues i Albin Kurtit. Nëse nuk e dijnë ua tregoj: Nuk kalon Albulena Haxhiu, pikë…”

Të shtunën vazhdon seanca

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe sot, në tentativën e nëntë.

Propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin dështoi dhe seanca e radhës u caktua më 3 maj, në orën 10:00. / Klankosova.tv.

Krasniqi i ashpër ndaj VV-së: Për shkak të tekave tuaja mos e krijoni Kuvendin në cirk

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë që LVV të mos e vazhdojë bllokimin e Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ai e ka refuzuar votimin me vota të fshehta të propozuar nga Avni Dehari, kryesuesi i seancës konstituive.

“Kryetar Dehari nuk keni drejt të flisni në emër të PDK-së, nuk besoj se keni kompetenca. I thash edhe në takim Z. Kurti ju ftoj të mos e thelloni krizën, e keni krijuar Kuvendin në një cirk për shkak të tekave tuaja”, ka thënë Krasniqi.

Kadrijaj: AAK nuk propozon emër për komision, ‘Zdravo Mimoza’

Time Kadrijaj, deputetja e AAK-së, ka refuzuar të propozojë një emër të këtij subjekti për anëtare të komisionit për zotimin e fshehtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Dehari propozon votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit

Seanca e nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka nisur me një propozim nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Ai kërkoi që për kryetar të Kuvendit të ketë votim të fshehtë, transmeton Klankosova.tv.

Fillon seanca, tentativa e nëntë

Related article  LAJM I FUNDIT – Trɑgj℮día me të paktën 290 víktímɑ, ndodh mrekullia e madhe! (FOTO)

Seanca e nëntë për konstituimin e Kuvendit tashmë ka nisur.

Nëse VV e propozon sërish Albulena Haxhiun, kjo është hera e shtatë që emri i saj hidhet në votim.

Të gjitha zhvillimet mund t’i ndiqni LIVE në Klan Kosova.

Balje: Do të votojë kundër Haxhiut, qëndrimin e kemi të njëjtë

Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka thënë se e ka qëndrimin e njëjtë për votimin kundër për zgjedhjen e Albulena Haxhiut, për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Në një paraqitje para mediave, ajo ka thënë se nuk ka pasë ndonjë takim me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin.

“Qëndrimin e kemi të njëjtë, patëm mosmarrëveshje, mosmirëkuptim me partinë që ka fituar në zgjedhje edhe trajtimin që e kemi pasë edhe para dhe pas zgjedhjeve”.

“Kam deklaruar se nuk e votojmë si parti dhe nuk do ta votojmë”, ka thënë Balje.

Veton Berisha pjesë e seancës, detaje nga mbarëvajtja e takimit Kurti-Krasniqi

Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani, ka dhënë detaje për seancën e sotme e cila pritet mbase të sjell konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka komentuar takimin që ngjau sot mes liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqit, ndërsa përmendi qëndrimin e këtij të fundit për gjuhën e ‘’hajvanatit’’, transmeton klankosova.tv.

”Sa i përket çështjes së hajvanatit, Krasniqi ka thënë që fjalor të tillë zotëri Kurti kishte edhe në të kaluarën me rivalët e tij politikë, ndërsa ka thënë se ai veç e tregon kulturën e tij politike”.

Ai po ashtu bëri të ditur se prezent kësaj radhe është edhe deputeti, Veton Berisha, për dallim të seancës të së martës.

Kadrijaj: Nuk kemi ndryshuar qëndrim për Haxhiun, VV po e bllokon konstituimin e Kuvendit

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk kanë ndryshuar as sot qëndrim për mosvotimin e Albulena Haxhiut, për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Në një paraqitje para mediave, ajo ka theksuar se bllokuese e situatës së tanishme që është vendi për mosformim të institucioneve të reja shkak është Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne i mbajmë qëndrimet e njëjta, nuk kemi ndryshuar qëndrim, nuk kemi votë për këtë qeveri edhe për kryekuvendarin, për zhbllokimin e kësaj situate i kemi propozuar dy emra, nuk kanë dashtë konsensus”.

“Opinioni i gjerë duhet ta dijë se bllokuese e konstituimit të Kuvendit është Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh Kadrijaj.

Haziri: LVV-ja nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e problemit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se mosshkuarja e kryetarit të partisë së tij në takimin e ftuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, “nuk është refuzim i dialogut”.

“Nuk ka nevojë për takim për procedura”, është shprehur Haziri para gazetarëve.

“Nuk shkohet në takim për të drejtën e fituar. Partia e parë duhet të realizojë marrëveshje politike”, ka thënë ai.

“Po të ishte LDK-ja në këtë pozitë, ne para pesë javësh do ta kishim mbyllur” konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ka thënë Haziri.

Sipas tij, LVV-ja “nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e problemit”.

“Të bësh takime sa për t’u takuar… LDK-ja kështu nuk funksionon. Ne shkojmë në takim vetëm kur duhet të kryhet punë”, është shprehur ai.

Zemaj: E njohim Kurtin, nuk paragjykojmë

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar para seancës së sotme që erdhi pas takimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi që përfundoi pa marrëveshje.

“E njohim Kurtin, i kemi 20 vjet këtu jetë politike me të, prej gurëve, molotovit, gazit deri te asnjë fjalë e mbajtur, nuk kemi çka me paragjykuar”, tha ai, njofton Klankosova.tv

Related article  Primaret e PD/ Përfundon numërimi, ja kandidatët më të votuar në 12 qarqe

Peci: LDK-ja sikur është shndërruar në një shoqëri aksionare

Ish-ministri i Bujqësisë, aktualisht deputeti Faton Peci, deklaroi se e ka përshtypjen që LDK-ja është shndërruar në një shoqëri aksionare.

Para gazetarëve duke shkuar për në Kuvend për seancë konstituive, Peci theksoi se LDK-ja po vepron sikur është e privatizuar dhe se varet se çka thonë aksionarët.

“Duke qenë se kam qenë një kohë të gjatë pjesë e LDK-së, ajo në të cilën është angazhuar LDK-ja në të kaluarën, nuk ka të bëjë me këtë sot. Imagjinoni nëse ndjeket ky diskurs i LDK-së, ku refuzohet zhbllokimi i Kuvendit dhe institucioneve”, tha ai.

Fatmir Limaj para seancës: Vështirë të zgjidhet pa marrëveshje politike

Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, para fillimit të seancës, është deklaruar para gazetarëve nëse ka ndërruar qëndrim lidhur me votën e tyre.

Limaj tha se situata nuk mund të zhbllokohet pa pasur marrëveshje politike.

“Po shkojmë edhe sot në seancë. Sic kemi thënë herën e kaluar, vështirë të bëhet pa një marrëveshje politike.” – tha Limaj, transmeton Klankosova.tv.

Kurtit nuk i ec, s’arrin marrëveshje me Krasniqin

Kryetari i VV-së, Albin Kurti nuk ka arritur marrëveshje politike me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Pas takimit, Krasniqi tha se Kurtit i ka sugjeruar “të mendojë për kandidat apo kandidatura të tjera”, transmeton Klankosova.tv.

“Atë që e kam thënë pas çdo dështimi të seancës, ia kam thënë Kurtit. S’na takon neve t’ia zgjedhim kandidatin për kryetar të Kuvendit partisë së parë. S’kemi marrëveshje politike”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Kurti ende nuk është deklaruar.

Haradinaj: Edhe më 1 Maj, shohim më shumë retorikë, kjo është e vërteta e një qeverisje mashtruese

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveritë e përgjegjshme punojnë për të përmirësuar kushtet e punëmarrësve.

Në një postim në Facebook, ai është shprehur se Qeveria Kurti e ka bërë të kundërtën, sipas tij, duke mos plotësuar kushtet e punëtorëve.

Ky reagim i tij vjen me Ditën e Punëtorëve më 1 maj.

“Sot, paga minimale është një formë asistence, paga mesatare mezi mbulon jetesën, dhe në të dy sektorët; publik e privat, pagat mbesin ndër më të ulëtat në rajon. Në vend të dialogut me sindikatat, kemi monolog qeveritar, përbuzje dhe arrogancë. Punëmarrësit publikë trajtohen pa dinjitet, ndërsa inflacioni rëndon gjithnjë e më shumë mbi qytetarin”.

“Edhe më 1 Maj, shohim më shumë retorikë, më shumë largime nga vendi, dhe gjithnjë e më pak shpresë. Kjo është e vërteta e një qeverisje mashtruese! Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është, paçi ditë më të mira!”, u shpreh Haradinaj.

“Kemi bërë propozimin tonë, uroj të ketë reflektim nga partitë e tjera”, thotë Murati

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje para vazhdimit të nëntë të seancës konstituive bëri të qartë se Vetëvendosje nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit

“Ne kemi bërë propozimin tonë, kemi kryer obligimin kushtetues. Ne kemi bërë edhe hapa tutje me ftesën e kryeministrit Kurti, drejtuar udhëheqësve të dy subjekteve të tjera, të cilat janë në radhë në bazë të deputetëve. Kushtetuta e parasheh që tri partive të mëdha u takon edhe pozita e nënkryetarit. Që të kemi një koncensus për të gjithë emrat, që të mos kemi bllokadë pas bllokade ideja ka qenë që të ketë një dakordim për të gjithë kandidatët e kryesisë së Kuvendit . Shpresoj dhe uroj që sot pas përgjigjes pozitive të PDK-së të ketë pasur reflektim. Gradualisht po qartëssohet se kush po bën bllokada. Refuzimi edhe për të diskutuar për temën është mjaft i qartë”, tha Murati.

Published inLajme