Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së përbashkët të Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit dhe Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit, pas zbulimit nga AKU të aflatoksinës kancerogjene në qumështin e Vlorës.
Përmes një postimi në Facebook, Resuli e cilëson deklaratën si të njëanshme dhe të diktuar nga presioni i Ministrisë së Bujqësisë. Ai akuzon këto shoqata se, në vend që të mbronin shëndetin publik dhe të kërkonin transparencë, zgjodhën të justifikojnë situatën alarmante të pasigurisë ushqimore.
Resuli thekson se sipas AKU-së, 8 mostra të analizuara gjatë vitit 2025 rezultuan të kontaminuara me aflatoksinë M1 — një substancë e njohur ndërkombëtarisht si kancerogjene. Sipas tij, problemi lidhet kryesisht me qumështin e përpunuar që përdor lëndë të parë të importuar nga Serbia dhe rajoni, shpesh me cilësi të ulët dhe nivele të larta toksinash.
Në fund, Resuli kërkon forcimin e kontrolleve ushqimore, ndalimin e importeve të dyshimta dhe mbështetje më të madhe për prodhimin vendas, duke e cilësuar minimizimin e këtij rreziku si “tradhti ndaj konsumatorëve shqiptarë”.