Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 të shkallës Rihter goditi Stambollin në orën 12:49 të së mërkurës, duke shkaktuar panik të menjëhershëm në një nga metropolet më të mëdha dhe të populluara të Europës.
Sipas autoriteteve turke të emergjencave, lëkundjet u ndjenë gjerësisht në gjithë rajonin, ndërsa epiqendra mendohet të jetë në afërsi të Detit Marmara. Banorët e zonave përreth u nxituan të dalin nga banesat, shumë prej tyre në panik të plotë, ndërsa autoritetet bënë thirrje që të mos kthehen në ambientet e brendshme për të paktën tre orë, për shkak të rrezikut të pasgoditjeve.
Momente tensioni në transmetim të drejtpërdrejtë
Një nga momentet më të forta të ditës u regjistrua në studion e lajmeve të CNN TURK, ku prezantuesja Meltem Bozbeyoğlu ndodhej drejtëpërdrejt në transmetim kur tërmeti goditi qytetin. Pamjet tregojnë një reagim të qartë paniku dhe shqetësimi të thellë te gazetarja, e cila për një moment humbi qetësinë në transmetim – një skenë që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale si simbol i fuqisë së momentit.
Ky incident riktheu kujtimet e hidhura për tërmetet shkatërrimtare që kanë goditur Turqinë ndër vite, sidomos për banorët e Stambollit, një qytet që ndodhet mbi një nga plakat më aktive tektonike në rajon.
Pa viktima, por me ndjeshmëri të lartë
Deritanë, nuk raportohet për viktima apo dëme të konsiderueshme materiale, por autoritetet janë në gatishmëri të plotë dhe kanë nisur verifikimet nëpër ndërtesa publike, shkolla dhe spitale. Ekipet e emergjencës janë vendosur në pikat kyçe të qytetit për çdo eventualitet.
Specialistët paralajmërojnë se pasgoditjet mund të vazhdojnë, dhe bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe ndjekje të udhëzimeve nga institucionet përkatëse.
Frikë, kujtime dhe gatishmëri
Pavarësisht mungesës së dëmeve të mëdha, tërmeti i sotëm rikujtoi banorëve të Stambollit fragjilitetin e sigurisë urbane në një qytet kaq të dendur dhe kompleks. Për shumë vetë, ishte një paralajmërim i heshtur se rreziku është gjithmonë i pranishëm dhe se përgatitja civile dhe infrastrukturore është çelësi për të shmangur tragjedi të mundshme në të ardhmen.
CNN Turk's broadcast during the 6.2 earthquake in Istanbul, Türkiye. pic.twitter.com/sm0l7TB1zz
— Clash Report (@clashreport) April 23, 2025
