Skip to content

Zjarr në katin e shtatë të një pallati, panik te banoret, shkak dyshohet…

Një apartament në katin e shtatë të një pallati në lagjen “29 Nëntori” në Fier është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme të mëdha materiale.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka shpërthyer rreth 30 minuta pasi familjarët ishin larguar nga banesa, çka ka ndihmuar që të mos ketë të lënduar. Flakët janë pikasur fillimisht nga fqinjët, të cilët të alarmuar nga tymi i dendur kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit.

Forcat zjarrfikëse mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, por operacioni i shuarjes së flakëve u vështirësua për shkak të rrugicave të ngushta që pengonin lëvizjen e mjeteve të ndërhyrjes. Megjithatë, ata arritën të lokalizonin zjarrin dhe të parandalonin përhapjen në apartamente të tjera.

Nga ngjarja raportohet për dëme të mëdha në mobilim dhe pajisje shtëpiake, ndërsa fatmirësisht nuk ka viktima apo të lënduar.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me ekspertët e shërbimit zjarrfikës, po punon për të përcaktuar shkaqet e incidentit. Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një sobë e lënë ndezur.

Published inLajme