Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga 1 milionë lekë gjobë secilën pesë shtetase të huaja, të akuzuara për ushtrim prostitucioni në Shqipëri. Të pandehurat, tre vajza nga Kolumbia, një nga Venezuela dhe një tjetër nga Rusia, të moshave 24 deri 34 vjeç, u gjykuan në mungesë, duke u përfaqësuar në seancë nga avokatët e tyre.
Sipas vendimit të gjykatës, të gjitha palët pranuan marrëveshjen me prokurorinë për dënimin me gjobë. Hetimet që çuan në proces nisën në vitin 2022, pas informacioneve të mbledhura nga policia në rrjetet sociale, ku u evidentua aktiviteti i vajzave të huaja, kryesisht nga Rusia, Polonia, Moldavia, Ukraina dhe Amerika Latine, të cilat vinin në Shqipëri për të ushtruar prostitucion.
Skema e funksionimit
Sipas dosjes hetimore, vajzat mbërrinin në Tiranë dhe qëndronin në apartamente të marra me qira për periudha të shkurtra, 1 deri në 2 muaj, përpara se të largoheshin dhe të zëvendësoheshin nga grupime të tjera.
Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre koordinoheshin nga persona shqiptarë dhe të huaj që ndihmonin në rekrutimin e vajzave, organizimin e udhëtimeve, akomodimin dhe ndërmjetësimin e takimeve me klientët.
Hetuesit, përmes një operacioni të simuluar, arritën të kontaktojnë vajzat duke u paraqitur si klientë në një faqe interneti që promovonte shërbimet e tyre, duke siguruar më pas prova për vendndodhjen dhe aktivitetin e tyre në apartamente të ndryshme të Tiranës.
Detajet e rrëfyera nga të pandehurat
Gjatë dëshmive të tyre, vajzat pohuan se ishin lidhur me një agjenci në Shqipëri përmes një gruaje, me të cilën komunikonin në WhatsApp. Ajo kujdesej për akomodimin e tyre dhe organizimin e punës.
Sipas dëshmive, për çdo shërbim seksual ato merrnin pagesa nga 200 deri në 1000 euro për klient, ndërsa 50% të fitimeve i dorëzonin një mashkulli rreth 35 vjeç, që vizitonte apartamentet e tyre çdo 7-8 ditë për të mbledhur të ardhurat.
Të pandehurat gjithashtu pretenduan se nuk ishin në dijeni se prostitucioni konsiderohet vepër penale në Shqipëri.
Një fenomen në rritje
Ky rast është pjesë e një fenomeni më të gjerë që ka të bëjë me përdorimin e Shqipërisë si destinacion për rrjete prostitucioni ndërkombëtar, duke e vështirësuar ndjeshëm identifikimin dhe dokumentimin e këtyre aktiviteteve për shkak të rotacionit të shpejtë të vajzave dhe përdorimit të apartamenteve të përkohshme.
