Këngëtarja e njohur Fjolla Morina ka shqetësuar ndjekësit e saj duke u shtruar në spital që nga dita e diel. Vetë artistja ndau një pamje nga ambientet spitalore nëpërmjet platformës WhatsApp, duke mos ofruar detaje specifike mbi arsyen e hospitalizimit apo gjendjen e saj aktuale shëndetësore.
Postimi i shoqëruar me fjalët “Kujdesi për veten do të thotë të bësh një pushim kur gjërat bëhen të vështira…” la të kuptohej për një moment të vështirë shëndetësor për këngëtaren.
Lajmi fillimisht u raportua nga Newsbomb.al, i cili, duke cituar burime pranë këngëtares, sugjeroi se Fjolla mund të ketë pësuar komplikacione si pasojë e një mbidoze të mundshme medikamentesh. Këto burime bënë të ditur se ajo ndodhet nën kujdesin e vazhdueshëm të stafit mjekësor për më shumë se 24 orë dhe se fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Albanian Post raportoi se hospitalizimi i Fjolla Morinës erdhi pas një reagimi ndaj medikamenteve, duke iu referuar gjithashtu burimeve të afërta me artisten. Nga ana tjetër, Revista Kosovarja shkruan se sipas informacioneve të siguruara nga familjarët, gjendja e Fjollës po përmirësohet dhe ajo është drejt stabilizimit. Megjithatë, shkaqet e sakta që çuan në këtë situatë shëndetësore të rënduar ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.
Deri në këtë moment, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga përfaqësues të Fjolla Morinës apo nga vetë ajo në lidhje me arsyet e hospitalizimit të saj. Publiku dhe adhuruesit e saj mbeten në pritje të një komunikimi nga këngëtarja për të kuptuar më mirë situatën dhe për të marrë konfirmime mbi shëndetin e saj. Shpresohet në një përmirësim të shpejtë të gjendjes së saj dhe në një kthim sa më parë në aktivitetet e saj muzikore.
