Saimir Vishaj humbi jetën në moshën 60-vjeçare, pasi u rrëzua nga shkallët.
Humbja e tij ka shkaktuar dhimbje të rëndë, pasi ajo vjen në momentin kur ai sapo i kishte shpëtuar vdekjes nga sëmundja e rëndë e kancerit, të cilën e kishte mposhtur.
Historia e Vishajt është si ajo e një filmi.
Ai u bë avokat, një nga më të mirët në vend, për shkak të ngjarjes tragjike që i ndodhi motrës së tij, Evës (mamaja e këngëtares së njohur Elsa Lila), e cila u vra në vitin 1997.
Saimiri kërkonte të vinte drejtësi për të motrën, ndaj dhe i hyri kësaj rruge.
Si ndodhi vrasja
Historia e vrasjes së Eva Vishajt, zë fill më 23 maj 1997, kur ajo u gjet e pajetë, e qëlluar me një plumb në kokë pranë kilometrit të 29-të, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Hetimet për këtë ngjarje u rihapën vite më vonë dhe, në vitin 2004, Prokuroria akuzoi Albenc Agon si autor të vrasjes.
Ai u gjykua në mungesë dhe më 1 dhjetor 2005, një treshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni e deklaruan të fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Në bashkim të dënimeve, Ago u dënua me 20 vjet burg.
Në këtë vendim, Gjykata e kryeqytetit shqiptar arsyetonte: “Persona që njiheshin me të, po atë ditë e kanë parë viktimën Eva Vishaj në makinë tip ‘Mitsubishi’, ngjyrë qielli, që po udhëtonte në drejtim të Rrugës së Elbasanit pikërisht tek Liceu Artistik, makinë që po drejtohej nga ana e të pandehurit Albenc Ago dhe që midis të dyve rezultonte se kishte marrëdhënie të acaruara, fakt që është vënë re nga ana e këtyre dëshmitarëve”.
Pas këtij vendimi, Ago u arrestua në Itali dhe u ekstradua në Shqipëri. Në maj 2008, Gjykata e Tiranës pranoi rivendosjen në afat të dosjes.
Pas një rishqyrtimi të pjesshëm, më 17 dhjetor 2008, Apeli la në fuqi vendimin me 20 vjet burg. Rekursi i këtij vendimi nga ana e Agos nuk u pranua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Më pas, Ago iu drejtua Kushtetueses, e cila në nëntor 2012 e ktheu dosjen për rishqyrtim në Apel. (Thuaje.al)
