Gazetari Elton Tozaj ka bërë një tjetër deklaratë në rrjetet sociale, këtë herë duke ngritur akuza për mënyrën e përdorimit të fondeve publike në Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), institucion që drejtohet nga Eni Vasili.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Tozaj ka pretenduar se një shumë prej rreth 185 milionë lekësh është parashikuar për realizimin e një studioje televizive, duke vënë në dyshim nevojën për një shpenzim të tillë.
Në video, gazetari shfaq edhe një dokument që paraqitet si vendim i Këshillit Drejtues të RTSH-së, lidhur me miratimin e një projekti artistik dhe financiar për një program televiziv.
“Njeriu vjedh, po vjedh me edukatë, vjedh me kulturë, domethënë ka një masë, edhe vjedhja ka një masë”, shprehet Tozaj në fillim të videos, përpara se të drejtojë akuzat ndaj drejtueses së RTSH-së.
“Jemi prapë te Eni Vasili, prapë te drejtoresha e përgjithshme e Radiotelevizionit Shqiptar. I vetmi televizion publik, ai që paguhet me taksat tona”, vijon ai.
Tozaj pretendon se shuma e përmendur lidhet me ndërtimin ose përshtatjen e një studioje, ndërsa argumenton se RTSH disponon tashmë ambiente që mund të shfrytëzohen për realizimin e programeve.
“185 milionë lekë për të bërë një studio televizive. Studiot ndërkohë janë të gatshme atje, thjesht i vëmë LED edhe një kolltuk”, deklaron gazetari.