Biznesmeni dhe publicisti Hetem Ramadani i është drejtuar me një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga detyra dhe t’i hapë rrugë një zgjidhjeje paqësore, kushtetuese dhe demokratike.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ramadani i kujton kreut të qeverisë një bisedë të zhvilluar në aeroportin e Vjenës, kur, sipas tij, Rama e kishte pranuar se nuk do të ishte përgjithmonë kryeministër.
A po “peshkon” Rama njerëz pranë protestës me skemën e drejtorëve, që të shuajë revoltën e tyre
Duke iu referuar situatës aktuale në vend, Ramadani shprehet se ka ardhur koha që kryeministri ta rikthejë vëmendjen te ky vendim dhe të marrë përgjegjësi përmes largimit nga pushteti.
“Ju bëj thirrje të jepni dorëheqjen dhe t’i hapni rrugë një zgjidhjeje paqësore, kushtetuese e demokratike”, shkruan Ramadani në mesazhin e tij.
Ai argumenton se largimi në kohën e duhur mund t’i japë vendit mundësinë për të dalë nga tensionet dhe për të gjetur një rrugë të re përpara. Sipas tij, vendosja e interesit të përbashkët mbi vazhdimësinë në pushtet është një formë përgjegjësie politike.
Ramadani u bën thirrje gjithashtu drejtuesve politikë që të reflektojnë mbi pasojat e përplasjeve dhe të dëgjojnë më shumë shqetësimet e qytetarëve.
“Çfarë mund të bëj tani që vendi im të mos vuajë më tej?”, është një nga pyetjet që ai ngre në reagimin e tij, duke theksuar se pas krizave dhe konflikteve mbeten pasoja që shoqëria duhet të përballojë për një kohë të gjatë.
Në fund të mesazhit, Ramadani i kërkon Ramës që t’u japë qytetarëve mundësinë të shprehen dhe të vendosin për të ardhmen e vendit, duke mbyllur reagimin me një mesazh përtej interesave politike: “Karrigia do të mbetet për dikë tjetër. Shqipëria duhet të mbetet për të gjithë”.
Reagimi vjen në një klimë tensionesh politike dhe protestash në Tiranë, ndërsa thirrja e Ramadanit për dorëheqje dhe zgjidhje demokratike i shtohet debatit publik mbi përgjegjësinë e qeverisë dhe të ardhmen politike të vendit.
