Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet pa shenja jete me një plumb në kokë brenda automjetit të tij, në zonën e Komunës së Parisit. Bëhet me dije se viktima punonte si shofer i deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi.
Mësohet se një nga komunikimet e fundit telefonike të tij ka qenë me bashkëshorten.
Ngjarja u zbulua rreth orës 20:20, në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”, pasi policia mori një njoftim për një automjet të aksidentuar. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën 46-vjeçarin të pajetë brenda një makine tip “Volvo”.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se viktima kishte probleme të shumta familjare.
Sipas informacioneve, Habili kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në kokë, ndërsa brenda automjetit u gjet edhe një armë.
Policia dyshon se 46-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës, por rrethanat e ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Automjeti ku u gjet Habili kishte gjithashtu dëmtime të dukshme në pjesën anësore, si dhe xhamin e thyer në anën e shoferit. Ende nuk është sqaruar nëse këto dëmtime lidhen me një përplasje të automjetit apo me rrethanat e vdekjes së 46-vjeçarit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet e nevojshme për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes. Ekspertiza mjekoligjore, këqyrja e automjetit dhe verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë pritet të ndihmojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes së Ismet Habilit.