Policia e Shtetit prej 6 ditësh po përballet me sulme të pandërprera, për orë të gjata, nga grupe personash të maskuar, të cilët kanë dhunuar punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, pllaka guri, sfera metalike, vida, sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov.
Krahas sulmeve ndaj Policisë, këto grupe kanë sulmuar dhe dëmtuar institucione shtetërore, institucione të drejtësisë, institucione bankare, pronë publike dhe private.
Njëkohësisht, çdo ditë vijojnë thirrjet, nëpërmjet grupeve të hapura, në platformat online dhe rrjetet sociale, për vrasjen e punonjësve të Policisë dhe djegien e automjeteve të Policisë.
Ditën e djeshme, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka ardhur një telefonatë, sipas së cilës, mes protestuesve kishte elementë të armatosur dhe po qëllohej me armë zjarri në momentin e sulmeve me lëndë piroteknike ndaj Policisë.
Përballë kësaj dhune dhe thirrjeve për vrasje, duke qenë se edhe ditën e djeshme sulmet ndaj Policisë kanë qenë të paprecedenta, Policia e Shtetit mori masa shtesë.
Për të mbrojtur jetën e punonjësve të Policisë në terren, të cilët janë të paarmatosur, në zbatim të ligjit për tubimet, në terren kanë dalë edhe strukturat speciale RENEA, pasi, bazuar në telefonatën e ardhur në sallën operative, ekzistonte rreziku për jetën e punonjësve të Policisë.
Njëkohësisht, gjatë ditës së djeshme, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, në zbatim të procedurave standarde dhe në përputhje me shkallën e rrezikut, kanë përdorur në mënyrë të kufizuar pajisjet speciale për menaxhimin e turmave, pasi janë gjendur përballë sulmeve me sfera e vida metalike, lëndë piroteknike, bomba moltov, gurë, pllaka guri e sende të forta të cilat kanë dëmtuar dhe kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga dhuna dhe personat e maskuar, si dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për tubim në mënyrë paqësore.
Ligji për tubimet parashikon ndalimin e pjesëmarrjes në tubim me veshje ose sende të tjera, si maska, shall dhe veshje të tjera, me qëllim fshehjen e identitetit.
