Sezoni i ri i spektaklit të njohur të humorit “Portokalli” ka nisur me ndryshime drastike dhe të papritura, të cilat kanë shkaktuar jo pak habi dhe debat te publiku. Largimi i papritur i Salsano Rrapit, i cili prej vitesh mbante peshën e prezantimit dhe regjisë, dhe rikthimi i bujshëm i ikonës së humorit, Agron Llakaj, kanë qenë padyshim lëvizjet më të diskutuara të këtij fillim-sezoni.
Së bashku me rikthimin e tij, Llakaj solli në skenën e “Portokalli” edhe aktorin e njohur Albano Bogdo, duke forcuar kështu trupën e aktorëve. Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte reagimi i vetë Agron Llakajt lidhur me largimin e Salsanos. I pyetur për këtë rotacion, Llakaj nuk e fshehu habinë e tij, duke u shprehur se nuk e priste një largim në të tilla rrethana. Ai zbuloi se kishte planifikuar një tranzicion miqësor, ku e kishte menduar që natën e parë të spektaklit ta prezantonin së bashku, në formën e dorëzimit të stafetës.
Por, nëse Llakaj tregoi diplomaci, prapaskenat duket se ziejnë nga tensionet. Largimi i Salsano Rrapit nuk ka qenë aspak paqësor dhe kjo është konfirmuar në mënyrën më të ashpër nga aktori i njohur i “Portokallisë”, Rezart Veleshnja. Përmes një reagimi shpërthyes në rrjetet sociale, Veleshnja ka lënë të nënkuptohet qartë se ish-prezantuesi ishte bërë i padëshiruar brenda trupës.
Në një koment të bërë në Instagram, Veleshnja nuk ka kursyer as fjalorin ofendues, duke e sulmuar personalisht dhe profesionalisht ish-kolegun e tij.
“Urime shokëve dhe kolegëve të Portokallisë! Diçka kisha: Kushdo që ka ik nga Portokallia nga artistët, shqiptarët e kanë ndjerë dhe kanë pasur dëshpërim në reagimet e tyre për ta! Kurse për ty o Salsano Trapi për çudi se rr…ti njeri! Kaq vlera paske pas që ta dish hëngre bukën e dikujt me talent kot e më kot”, ka shkruar Veleshnja, pa e fshehur aspak antipatinë.
Ky shpërthim publik i Veleshnjës tregon qartë se marrëdhëniet mes Salsano Rrapit dhe një pjese të stafit të vjetër kishin degraduar prej kohësh. Ndërkohë që spektakli vazhdon rrugëtimin e tij me një format të rinovuar nën drejtimin e Llakajt, mbetet për t’u parë nëse vetë Salsano do të zgjedhë t’u përgjigjet këtyre akuzave të rënda apo do të preferojë të heshtë pas këtij largimi të zhurmshëm.

