‘Thembra e Akilit’ për qeverinë vijojnë të mbeten ‘pensionet’, ku 755 mijë qytetarë presin sa do të rritet pagesa mujore, pas rishikimit të skemës së miratuar në 2015-ën.
Prej më shumë se 2 vitesh qeveria po punon me Bankën Botërore për ndërhyrjet që do të bëhen mbi skemën aktuale. Në një emision televiziv, zëvendësministrja e Ekonomisë Olta Manjani, thekson se do të ruhet parimi kontributiv por do të ndërhyhet tek mosha e daljes në pension.
“Ndryshime të tjera lidhen me rritjen e moshës së pensionit. Gradualisht po rritet çdo vit me dy muaj mosha e grave, dhe aktualisht është 62 vjeç, kurse për burrat është 65 vjeç dhe do nisë të rritet nga 2032-shi. Ligji aktual synon që ta barazojë gradualisht moshën e tyre ndërsa në vitin 2056 në 67 vite. Po shqyrtohet mundësia e përshpejtimit të moshës së daljes në pension të grave në mënyrë që ky barazim të bëhet më shpejt në kohë, jo në 2056-ën”, thotë Manjani.
Zëvendësministrja thotë se rritja e moshës për të dalë në pension është dhe detyrim që rrjedh nga procesi i integrimit, por barazimi i moshës së burrave dhe grave në 67 vjeç, nuk do të behet menjëherë.
“Ne kemi kërkuar që të kemi një periudhë tranzitore ku barazimi i moshës së pensionit të bëhet pak më gradual, pa krijuar disbalanca në tregun e punës apo në skemën e sigurimeve shoqërore dhe po studiojmë disa skenarë për të kuptuar se cila është periudha optimale kur ne mund të barazojmë moshën e pensionit të burrave dhe grave”, tha zëvendësministrja.
Ndryshimi tjetër ka të bëjë me fuqizimin e kolonës së tretë të pensioneve që ka të bëjë me pensionet private vullnetare.
“Pjesë e reformës është edhe diskutimi për konsolidimin e kolonës së tretë ose më saktë për të përfshirë sa më shumë qytetarë në kolonën e tretë. Diskutimet për kolonën e tretë janë kryesisht për mënyrat se si mund të rrisim bazën e pensionistëve të ardhshëm, pra qytetarëve që janë aktualisht në marrëdhënie pune, në mënyrë që dhe ata në momentin e daljes në pension mos të përballen me çështjen e mjaftueshmërisë së pensioneve”, thotë Manjani.
Manjani sqaron edhe se cfarë do të ndodhë me indeksimin, formula për të cilin sipas saj nuk do të ndryshoj.
“Në këtë raund reforme, mendojmë që politika e indeksimit do vijojë të jetë sipas asaj shportës së dedikuar të pensionistëve, pa diferencuar ndërmjet masave të ndryshme të pensioneve dhe këtë e kemi parasysh tek politika e dhënies së bonusit”, tha Manjani.
Nevoja për të rishikuar sa më parë skemën thotë Manjani vjen edhe për shkak se 80% e pensioneve të reja që po lidhen nuk janë të plot por të pjesshme. Ndërkohë referuar shifrave të ISSH afro 55% e pensionistëve në vend marrin pension të pjesshëm, pasi nuk kanë vitet e plota të punës për ta përfituar të plotë.
“Vendi jonë ka kaluar një periudhë të gjatë tranzicioni dhe ndërgjegjësimi për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore nuk ka qenë ai i duhuri. Rreth 80% e pensioneve të reja që lidhen janë pensionistë që nuk kanë plotësuar numrin e duhur të viteve të kontributeve. Fillimisht duhet të rritet ndërgjegjësimi që të gjithë punonjësit të jenë të siguruar dhe këto sigurime të paguhen mbi bazën e pagave të tyre reale, pasi kjo është diçka që do të reflektohet edhe në masën e pensionit”, thotë Manjani.
Mes shumë afatesh të dhëna për finalizimin e kësaj reforme, zëvendësminsitrja thotë se synimi është që të zbatohet nga 2027-ta.
“Ambicia jonë është që ne të kemi gati të gjitha propozimet e reformës deri në fund të vitit, që ne më pas të bëjmë edhe një konsultim të gjerë publik me gjithë aktorët, veçanërisht në lidhje me konsolidimi i kolonës tretë apo ndryshime të tjera që ne po rishikojmë për reformë. Jemi shpresë plotë që vitin tjetër kjo reformë të hyjë në fuqi dhe të gjejë zbatim edhe në treg”, tha Manjani.
Ndryshimet thotë Manjani do t’u përgjigjen jo vetëm sfidës së pensioneve të ulta, kërcënimit demografik, nëndeklarimit të pagave por edhe garantimit të një minimumi jetik për këtë kategori.
“Reforma e fundit ka hyrë në fuqi në vitin 2015, por për shkak të gjithë ndryshimeve demografike, për shkak të ndryshimit të natyrës së punës dhe zhvillimit të shpejtë të teknologjisë, por edhe nevojave të shtuara të pensionistëve, kishte ardhur momenti që ne të bënim një rishikim tjetër të skemës, duke synuar që të trajtojmë disa problematika që ju përgjigjen sfidave më të fundit që sjell koha. Një prej tyre është padyshim edhe mjaftueshmëria e pensioneve”, thotë Manjani.
Gati 32% e popullsisë së vendit është në pension, janë afro 755 mijë qytetar që marrin pagesë mujore në bazë të kontributeve që kanë paguar. Aktualisht vlera e pensionit mesatar urban është 20 mijë e 666 lekë, ndërsa ato rurale kanë arritur në 12 mijë e 645 lekë, pas indeksimit me 2.7% në muajin korrik.
