Një çift i sapomartuar që kishte udhëtuar drejt Greqisë për muajin e mjaltit është në mesin e gjashtë personave që humbën jetën, pasi një ndërtesë u shemb plotësisht si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në zonën Plaka, në qendër të Athinës.
Viktimat janë identifikuar si Florinda Hoxha, bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, Eris Çani, bashkëshorti i saj Florin Hoxha, si dhe çifti i moshuar Athina Papareskou dhe Edmond Hings, transmeton Klankosova.tv.
Katër nga viktimat po qëndronin në një apartament në katin e parë të ndërtesës, sipas raportimeve nga mediat greke, tre prej tyre ishin me origjinë shqiptare dhe me shtetësi amerikane.
Tragjedia bëhet edhe më e rëndë me faktin se Florinda Hoxha dhe Ian Alexander Kirkpatrick sapo ishin kurorëzuar në martesë dhe kishin zgjedhur Athinën për të kaluar pushimet e tyre të ëndrrave.
Një i afërm i çiftit kishte bërë thirrje për ndihmë në rrjetet sociale pasi pasaportat me emrat e tyre u gjetën mes rrënojave, përpara se të konfirmohej lajmi i kobshëm.
Po ashtu, raportohet se edhe çifti tjetër që ndodhej në të njëjtën ndërtesë, Eris Çani dhe Florin Hoxha, ishin në pritje të një fëmije. Rrethanat e plota dhe orët e fundit të qëndrimit të tyre aty pritet të zbardhen gjatë hetimeve.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas orës 07:30 të mëngjesit të së premtes, më 25 shtator, duke bërë që ndërtesa të shembej tërësisht dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në objektet dhe automjetet përreth.
Zjarrfikësit dhe njësitë speciale të shpëtimit (EMAK) gërmuan pa ndërprerë mes rrënojave për orë të tëra, derisa operacioni u mbyll të shtunën me gjetjen e dy trupave të fundit.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit. Pista kryesore që po hetohet aktualisht është ajo e një rrjedhjeje gazi, ndërsa ekspertët po vazhdojnë këqyrjen teknike të vendngjarjes.
