Një ngjarje e rëndë në jug të Francës po hetohet si vrasje, pasi trupi i një gruaje braziliane 25-vjeçare u gjet i fshehur nën qese plastike dhe mbulesa në pjesën e pasme të një automjeti. Për ngjarjen është arrestuar ish-partneri i saj, një francez 29-vjeçar.
Ngjarja u zbulua pasditen e së hënës, më 21 shtator, në Brignoles, në jug të Francës, kur një automjet u ndalua për kontroll nga autoritetet doganore. Gjatë kontrollit, në pjesën e pasme të makinës u gjet trupi i Larissa Brito, i mbuluar me rroba dhe qese plastike.
Mediat shkruajnë se 25-vjeçarja kishte dëmtime të shkaktuara nga një objekt i mprehtë. Shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes ende nuk janë përcaktuar. Prokuroria e Nicës ka nisur një hetim për vrasje, ndërsa është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkakun dhe kohën e vdekjes. Drejtuesi i automjetit, 29-vjeçari i identifikuar si Mathieu, u arrestua pasi nuk ishte në gjendje t’u jepte autoriteteve një shpjegim për praninë e trupit në makinën e tij.
Sipas familjes së viktimës, Larissa kishte punuar si modele dhe kishte qenë në një lidhje me 29-vjeçarin për rreth pesë muaj. Pas ndarjes, të afërmit e saj pretendojnë se ai kishte nisur ta ndiqte dhe ta monitoronte. E reja ishte zhvendosur në Nice, ku dyshohet se kishte nisur një lidhje të re.
Nëna e saj, Lillian Brito Nogueira, tha se komunikonte me të bijën çdo ditë. Sipas saj, në mesazhin e fundit të dërguar të dielën, Larissa i kishte thënë se ish-partneri i saj ndodhej në banesën e saj. Pak më vonë, 25-vjeçarja nuk iu përgjigj më telefonatave dhe mesazheve. Nëna e saj raportoi zhdukjen dhe tentoi të kontaktonte edhe Mathieu-n. Sipas familjes, ai i tha se Larissa ishte duke fjetur, ndërsa më vonë e bllokoi numrin e saj.
Autoritetet franceze kontrolluan gjithashtu apartamentin e Larissës në Nice, i cili, sipas raportimeve, u gjet i pastër dhe bosh. Nëna e viktimës ka pretenduar se ish-partneri i saj mund ta kishte pastruar banesën për të eliminuar gjurmët e gishtërinjve. Ky pretendim, nuk është konfirmuar nga autoritetet franceze.
Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat nuk janë bërë publike, dyshohet se tregojnë 29-vjeçarin duke dalë nga ndërtesa ku jetonte Larissa, me disa çanta në duar. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e vdekjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë.
