Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në qytetin e Gjilanit, ku një person i lindur në vitin 1992 është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së tij.
Rastin e ka konfirmuar Valon Osmani nga Policia Rajonale e Gjilanit, duke bërë të ditur se Policia ka pranuar informacion për rastin dhe menjëherë janë aktivizuar njësitet përkatëse.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor.
Pas kontrollit të personit, mjeku kujdestar ka konstatuar se ai ishte pa shenja jete.
“Njësitet relevante policore së bashku me Prokurorin e Shtetit dhe ekipin emergjent mjekësor, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës”, ka deklaruar Osmani.
Pas veprimeve fillestare në vendin e ngjarjes, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Obduksioni pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës, ndërsa në informacionet e deritanishme nuk është bërë i ditur shkaku dhe as rrethanat që kanë çuar deri te ngjarja.
Në rast është përfshirë edhe Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, i cili në koordinim me Prokurorin e Shtetit po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.
“Hetues nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në konfirmimin e Policisë.
Deri në përfundimin e ekzaminimeve dhe veprimeve hetimore, nuk është dhënë një përfundim zyrtar për shkakun e humbjes së jetës së personit.
