Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Greqi ditën e djeshme ku një 25-vjeçare u vra me thikë nga ish-i dashuri i saj 27-vjeçar.
Vetë i riu, pasi u arrestua, ka pranuar se e ka kryer vrasjen. Fillimisht ai kishte tentuar të mashtronte policinë, duke pretenduar se ata ishin sulmuar nga 4 persona me maska, por më pas ka ndryshuar versionin dhe ka rrëfyer gjithçka.
Sipas policisë vendase shkak i konfliktit është bërë një borxh. 27-vjeçari ka thënë se i detyrohej para viktimës dhe ishin takuar për ta sqaruar këtë çështje, por debati ka degraduar.
Viktima u gjet e pajetë, e mbuluar në gjak dhe pa ndjenja, në një objekt pranë pistës së biçikletave. Mjekët e urgjencës vetëm kanë konstatuar vdekjen, pasi goditja fatale dyshohet se ka qenë në qafë me thikë.
Autori pas krimit u gjet nga policia me plagë që i kishte shkaktuar vetë në kraharor. Ai u dërgua fillimisht në Spitalin e Igumenicës dhe më pas u transferua në Spitalin e Filatit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Viktima me emrin Penelope prej më shumë se një viti punonte në një kompani që merrej me kultivimin e midhjeve. Kolegët e saj janë të shokuar nga ngjarja e rëndë dhe e përshkruajnë atë si një vajzë shembullore, të shkolluar dhe shumë të dashur. Ajo kishte mbaruar studimet për biologji dhe punonte në fushën e saj.
Hetuesit bëjnë me dije se çifti kishte qenë në një lidhje dashurie, por ishin ndarë prej rreth një muaji. Po hetohet e shkuara e marrëdhënies së tyre për të zbardhur plotësisht motivin e krimit makabër.
