Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi mëngjesin e kësaj të diele qytetin bregdetar të Sarandës, ku 44-vjeçari Artan Myrtaj, i njohur edhe me nofkën “Tani i Ruzhdiut”, u vra me armë zjarri në mes të qytetit.
Sipas të dhënave të reja për dinamikën e atentatit, Myrtaj ndodhej i ulur në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy persona që lëviznin me motor dhe po udhëtonin në drejtim të rrugës “Lefter Talo” iu afruan dhe hapën zjarr në drejtim të tij.
Në momentin që ka konstatuar autorët, 44-vjeçari është ngritur dhe ka tentuar të largohet me vrap, duke u drejtuar nga rruga “Vangjel Pandi”. Por autorët kanë vijuar të qëllojnë me armë zjarri, duke e ndjekur me të shtëna deri në momentin kur e kanë goditur për vdekje.
Myrtaj ka mbetur i vrarë në rrugë, ndërsa gjatë breshërisë së plumbave është plagosur edhe një kalimtar i rastit, i identifikuar si Xhevdet Skëndaj.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë të frekuentuar të qytetit dhe është zhvilluar në pak sekonda, duke shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin pranë vendit të atentatit.
Një tjetër detaj tronditës lidhet me praninë e nënës së 44-vjeçarit në momentin e ngjarjes. Ajo ka qenë dëshmitare e skenës së rëndë dhe e përlotur, ka tentuar t’i afrohej trupit të të birit, por është ndaluar nga efektivët e policisë të cilët mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pas atentatit, dy autorët janë larguar me motor nga vendi i ngjarjes dhe vijojnë të jenë në kërkim. Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa po vijojnë kontrollet dhe veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa në vendin e krimit janë mbledhur prova që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e atentatit.
