Një atentat me armë zjarri tronditi ditën e sotme qytetin e Sarandës, ku Artan Myrtaj mbeti i vrarë si pasojë e një atentati dhe një kalimtar 73-vjeçar u plagos. Ngjarja e rëndë ka shkaktuar panik tek qytetarët dhe pushuesit, në një nga zonat më turistike të vendit.
Për ngjarjen ka folur në një intervistë për Euronews Albania ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Asllan Dogjani. Dogjani e cilësoi ngjarjen si jashtëzakonisht të rëndë, që ka përcjellë panik jo vetëm në opinionin publik shqiptar, por edhe në atë ndërkombëtar. Sipas tij, plagosja e një kalimtari 73-vjeçar tregon qartë se sa të pasigurt janë qytetarët në Shqipëri.
“Siç thatë dhe ju është vërtetë një ngjarje shumë e rëndë e cila ka përcjellë një panik të jashtëzakonshëm. Dihet që Saranda, por edhe Durrësi, Tirana ka pasur turistë, vizitorë. Këto ngjarje i bëjnë një dëm të jashtëzakonshëm Shqipërisë. Fakti që një kalimtar 73-vjeçar plagoset sot do të thotë shumë, se sa të sigurt janë qytetarët shqiptarë. Dhe sot vritet në mes të Sarandës në mënyrë mafioze duke të kujtuar tamam vitet ’70 në Itali, apo vende jo demokratike ku vriten për shkak të trafiqeve të drogës”, tha ish-drejtuesi i policisë.
Për Dogjanin, kjo ngjarje tregon fuqizimin e grupeve kriminale në Shqipëri. Ai tha se sot grupet kriminale shqiptare lëvizin sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës dhe SHBA-së, ndërsa edhe brenda vendit është rritur numri i përdoruesve të drogës.
“Të gjitha këto bëjnë që këto grupe kriminale për shkak të kontrollit të territorit, për shkak të parave të mëdha, për shkak të parave të pista të këtij trafiku ndërkombëtar, të kenë konflikte dhe tashmë fusin edhe persona të cilët paguhen për të kryer vrasje”, përfundoi Dogjani.
