Hajredin Isufi, një personalitet i shquar i cili i ka kushtuar jetën Çamërisë, është ndarë nga jeta, në moshën 93 vjeçare. Me punë, përkushtim dhe pasion, në veprën e tij ai ka dritësuar historinë, kujtesën sa të veçantë, befasuese, aq edhe dramatike të kësaj krahine në shekuj, bijtë e saj të shquar, trashëgiminë kulturore, origjinalitetin dhe vlerat e saj të papërsëritshme.
Vepra e tij voluminoze i bën nder jo vetëm Çamërisë, por edhe historiografisë shqiptare e më gjerë.
Hulumtuesi dhe punëtori i palodhur ka grumbulluar mijëra e mijëra rrëfime, foto, dokumente të arkivave familjare. Ana tjetër e punës kërkimore të tij, është shfrytëzimi i Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Institutit të Historisë, Bibliotekës Kombëtare etj.
Historiani Isufi e pa në sy Çamërinë, me heroizmin, me qëndresën, dramat, dhimbjen dhe dinjitetin e dhimbjes. Çamët, brezi që erdhi në Shqipëri pas një rrugëtimi biblik, duke lënë pas shtëpi të djegura dhe viktime të gjenocidit zervist, ruajtën krenarinë dhe dinjitetin dhe shumë shpejt u integruan në shoqërinë e vëllezërve të tyre shqiptarë. Pikërisht këtë vlerë të kësaj popullsie e gjejmë edhe në veprën e Hajredin Isufit, ku dinjiteti i dhimbjes bëhet bashkë me atë të mbijetesës.
Ai ka rrëfyer shpesh rrugëtimin e tij për në Çamëri në vitin 1989. Një pjesë të këtyre rrëfimeve, nga më të bukurat, do t’i gjeni në librin “Çamëria, studime historike-socialogjike shek.XIII-XX”.
I mbijetuari i masakrave greke solli dëshmi autentike për gjenocidin ndaj popullsisë Çame në librat dhe intervistat e tij sepse pa dhe përjetoi tragjedinë, me sytë e një fëmije 9 vjeçar. Përmes dëshmive të tij autentike për gjenocidin, ai ka prezantuar dhimbjen çame dhe nuk heshti për masakrën deri në frymën e fundit.
Në vitin 2005 ka botuar librin:\\\”Çështja Çame dhe integrimi evropian\\\”, (bashkautor), ndërsa në vitin 2006, pa dritën e botimit libri tjetër i Hajredin Isufit “ Çamëria, studime historike-sociologjike shek.XIII-XX”.
Vepra tjetër “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902- 1940” është jo një sy i historisë së Çamërisë, por mijëra sy ose rreth 380 sy kronikash dhe u përkasin rreth 60 organeve të shtypit vendas e të huaj, që kanë “regjistruar”, në bebet e tyre, si kamerat moderne, Çamërinë, mbijetesën dhe dramat e saj, plagët, dhimbjet, zërat, vuajtjet e çamëve.
Hajredin Isufi ka lindur në fshatin Rrëzanj, Çamëri, më 24 Dhjetor 1932. Më 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori-Filologji. Ka punuar si arsimtar. Gjatë kësaj kohë, që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e Historisë, Tiranë.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit çam, për këtë humbje të pazëvendësueshme, teksa ndan dhe këtë jetëshkrim të Hajredin Isufit.
