Skip to content

Vjen lajmi i fundit per familjaret qe mori rrjedha e lumit

Është gjetur trupi i pajetë i vajzës rreth 7 vjeç, e cila u mor nga rrjedha e lumit Drin teksa po lahej së bashku me katër familjarë të saj në zonën e Gjoricës, në Bulqizë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, kur pesë persona, të afërm me njëri-tjetrin, kishin hyrë për t’u larë në lumë. Mes tyre ndodheshin xhaxhai, dy nipërit dhe dy mbesat.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë kohës që familjarët ndodheshin në ujë, niveli i lumit Drin dyshohet se është rritur pas hapjes së portave të hidrocentralit në Dibër të Madhe. Rritja e nivelit të ujit ka fuqizuar rrjedhën, duke marrë me vete pesë familjarët.

Familjarët e tyre kanë njoftuar Policinë rreth orës 21:00 të mbrëmjes së kaluar. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur operacionin e kërkim-shpëtimit.

Pas rreth katër orësh kërkime, autoritetet arritën të shpëtonin katër prej personave të marrë nga rrjedha, ndërsa 7-vjeçarja nuk u gjet.

Kërkimet për të miturën vijuan, ndërsa më pas u bë e mundur gjetja e trupit të saj të pajetë.

Paraprakisht dyshohet se shtimi i menjëhershëm i nivelit dhe fuqizimi i rrjedhës së lumit kanë shkaktuar ngjarjen e rëndë. Rrethanat e plota të rastit, përfshirë shkakun e rritjes së nivelit të ujit, pritet të sqarohen nga autoritetet.

Published inLajme