Ardjan Malasi, një biznesmen i njohur dhe i respektuar në Mallakastër, ka ndërruar jetë këtë të mërkurë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Fier. Raportohet se Malasi kishte kërkuar ndihmë nga stafi i burgut për shkak se nuk po ndihej mirë dhe është nisur me urgjencë drejt spitalit të Fierit.
Fatkeqësisht, mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij, duke mos pasur mundësi të bënin asnjë ndërhyrje. Paraprakisht, bëhet me dije se biznesmeni Ardjan Malasi ka pësuar heorragji cerebrale.
Ardjan Malasi ishte deklaruar fajtor dhe dënuar me 8 vite burg (Siguri e lartë) për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë të, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal\\\”.
Ai u arrestua pak vite më parë në kuadër të një operacioni të SPAK, kundër ish-drejtoreshës së Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi, e cila u shpall fajtore sepse kishte ndihmuar dy vëllezërit e saj trafikantë droge të pastronin paratë me apartamente.
Bëhet fjalë për 16 apartamente në Tiranë e Fier, garazhe dhe tokë. Një nga këto pasuri, ishte blerë dhe nga biznesmeni Ardjan Malasi, çka çoi më vonë në arrestimin dhe dënimin e tij me 8 vite burg nga Gjykata e Posaçme, shkruan newsbomb.al.
Njoftim për shtyp, 26 Gusht 2026 – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve
Në IEVP Fier trajtohet me statusin e të dënuarit shtetasi Ardjan Malasi, i datëlindjes 05.04.1968, lindur në Ballsh dhe banues në Ballsh, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Me vendimin nr. 65, datë 17.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 28, datë 01.06.2026, shtetasi Ardjan Malasi është deklaruar fajtor dhe dënuar me 8 vite burg (Siguri e lartë) për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë të, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287/1, 28/4-334/1 dhe 333/a/2 të Kodit Penal.
Vendimi ka marrë formë të prerë më datë 01.06.2026.
Për këtë vendim ka nxjerrë Urdhër Ekzekutimi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresë përcjellëse nr. 22750 Prot./Q.Sh., datë 06.07.2026.
Arrestuar më datë 26.10.2023.
Ardhur në IEVP Fier më datë 16.07.2026, transferuar nga IEVP “Jordan Misja” Tiranë, për arsye të marrjes së vendimit të formës së prerë si i dënuar.
Referuar dinamikës së vuajtjes së dënimit, rezulton se nga dënimi i dhënë me 8 vite burg (Siguri e lartë):
Ka vuajtur: 4 vite, 1 muaj e 18 ditë burg.
Mbetur për të vuajtur: 3 vite, 10 muaj e 12 ditë burg.
