Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Malishevë, ku një 25-vjeçare shtatzënë u gjet e plagosur me armë zjarri në dhomën e gjumit, së bashku me bashkëshortin e saj 26-vjeçar.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat në Kosovë, dyshimet paraprake janë se 26-vjeçari mund të ketë qëlluar me armë bashkëshorten e tij.
E reja humbi jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa bashkëshorti ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Policia e Kosovës njoftoi se pas marrjes së informacionit për të shtëna me armë zjarri, efektivët shkuan në vendngjarje dhe gjetën çiftin të plagosur në një nga dhomat e gjumit të banesës.
Të dy u nisën drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për ndihmë mjekësore. QKUK bëri të ditur se rreth orës 00:15 të 24 gushtit në Qendrën Emergjente u dërguan dy persona nga rajoni i Malishevës.
Sipas njoftimit të institucionit shëndetësor, 25-vjeçarja mbërriti pa shenja jete dhe kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, viktima ishte shtatzënë.
Bashkëshorti i saj 26-vjeçar kishte gjithashtu plagë të shkaktuara me armë zjarri. Ai po merr trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij raportohet shumë e rëndë.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Autoritetet po punojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin dhe rrethanat që çuan në të shtënat brenda banesës.
Deri në përfundimin e veprimeve hetimore, mbetet i pakonfirmuar versioni i plotë i asaj që ndodhi mes çiftit në dhomën e gjumit.