Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Trebisacce, në provincën e Kozencës, Itali, ku një 46-vjeçare italiane e identifikuar me emrin Ornella Forastefano është gjetur e pajetë në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë spitalit të qytetit. Ajo dyshohet se ishte dhunuar rëndë nga partneri i saj, një 42-vjeçar shqiptar. Ndërkohë është zbuluar idnetiteti i të dyshuarit për vrasjen e italianes.
Hetuesit e Prokurorisë së Castrovillarit dhe karabinierët e kanë përqendruar menjëherë vëmendjen te partneri i saj, Elvis Metvelaj, 42 vjeç, shtetas shqiptar, i cili kujtojmë se u kap në Bari teksa tentoi të arratisej.
Ai tashmë është duke u marrë në pyetje nga hetuesit italianë, të cilët kanë urdhëruar edhe bërjen e autopsisë së 46 vjeçares italiane për përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes dhe dinamikën e goditjeve. Sipas të dhënave paraprake, çifti bashkëjetonte prej rreth një viti. Ornella Forastefano, me origjinë nga Cassano allo Ionio, menaxhonte një bar në qendër të Trebisacce-s së bashku me dy fëmijët e saj.
Ende nuk është e qartë nëse ishte Metvelaj ai që e çoi gruan e rrahur para spitalit. Ai njihet nga forcat e rendit për precedente të lidhura me substanca narkotike.
