Një lajm i trishtë dhe i beftë ka ardhur paraditen e kësaj të enjteje, kur për mediat është bërë me dije se ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare.
Lajmi i kobshëm është ndarë edhe në rrjetet sociale nga familjarët dhe miqtë e shumtë të Halucit, të cilët ende nuk po e besojnë këtë ikje të parakohshme të tij.
“Nuk dua dhe nuk mund ta besoj që Skender HALUCI nuk jeton ma. Na e këpute shpirtin kusho. Engjëll ishe në tokë. Engjëll do të jesh në qiell.”, shkruan Bislim Ahmetaj.
Mësohet se prej disa ditësh Haluci ndodhej në Bjeshkët e Tropojës, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, ai u ka treguar familjarëve se nuk ndihej mirë, ndërsa vetëm pak minuta më vonë është gjetur pa shenja jete.
Vdekja e papritur e magjistratit ka tronditur thellë familjarët, të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij, të cilët kanë shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta.
Rrethanat e sakta të ngjarjes dhe shkaku i vdekjes pritet të përcaktohen nga ekspertiza mjekoligjore dhe autoritetet përkatëse.
Skënder Haluci ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka shërbyer edhe si kryetar i Gjykatës së Vlorës. Ai ishte një prej figurave të njohura të drejtësisë në Vlorë, ndërsa karriera e tij në sistem u ndërpre pas procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, të njohur si vettingu.
Karriera e Skënder Halucit:
Skënder Haluci ishte një prej emrave të njohur të sistemit të drejtësisë shqiptare, me një karrierë prej më shumë se dy dekadash në gjyqësor. Ai e nisi detyrën si gjyqtar më 23 gusht 1996 dhe për vite me radhë ushtroi funksionin në gjykatat e Tiranës dhe të Vlorës.
Haluci përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1995, ndërsa në vitin 2008 ndoqi edhe studime pasuniversitare pranë këtij universiteti.
Karrierën në sistemin gjyqësor e nisi më 23 gusht 1996, si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në këtë detyrë shërbeu për rreth 15 vite, deri më 24 nëntor 2011, kur u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Pas eksperiencës si gjyqtar në Vlorë, Haluci mori edhe detyra drejtuese në këtë gjykatë. Më 28 tetor 2013 u komandua në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërsa më 17 tetor 2014 u emërua zyrtarisht kryetar i kësaj gjykate. Në këtë funksion qëndroi deri më 5 mars 2020.
Gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, veprimtaria profesionale e Halucit ishte vlerësuar pozitivisht.
Karriera e tij në gjyqësor u ndërpre në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, të njohur si vettingu. Më 5 mars 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Pas këtij vendimi, Haluci u pezullua nga detyra, ndërsa çështja vijoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Më 27 tetor 2022, KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e Skënder Halucit nga detyra, duke i dhënë fund përfundimisht karrierës së tij në sistemin e drejtësisë.
Pavarësisht përfundimit të karrierës së tij si gjyqtar, Skënder Haluci mbetet i lidhur me një periudhë të gjatë të sistemit gjyqësor shqiptar, ku për më shumë se 25 vite ushtroi funksione gjyqësore, përfshirë edhe drejtimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë
