Një fluturim i American Airlines në SHBA ishte në gatishmëri pasi një Boeing 737 u përplas me zogj gjatë ngritjes nga Myrtle Beach, Karolina e Jugut, duke shkaktuar flakë në njërin motor dhe duke e detyruar aeroplanin të bënte një ulje emergjente.
Incidenti ndodhi të hënën në fluturimin 1760, i cili kishte destinacion Charlotte, Karolina e Veriut. Në bord kishte 181 persona.
Menjëherë pas ngritjes, piloti dërgoi një sinjal shqetësimi në kullën e kontrollit, duke i informuar ata për një problem me motorin, sipas CNN. “Kemi një problem me motorin”, dëgjohet të thotë kapiteni në një regjistrim audio të komunikimeve me kontrollin e trafikut ajror.
Një pilot tjetër, i cili kishte kontakt vizual me incidentin, raportoi në radio se pa Boeing-un të godiste zogj, të cilët duket se kishin goditur motorin e majtë.
Një pasagjer në fluturim, Patrick Gottwald, regjistroi në video flakët që dilnin nga motori ndërsa avioni ishte në ajër dhe fluturonte mbi det.
Boeing filloi të rrotullohej për t’u kthyer në aeroport, ndërsa shërbimet e emergjencës në tokë ishin mobilizuar tashmë. Avioni përfundimisht u kthye në aeroportin e Myrtle Beach dhe u ul në mënyrë të sigurt.
