Situata nga zjarri në Krujë është përkeqësuar ndjeshëm gjatë mbrëmjes së sotme, pasi vatra është riaktivizuar dhe është përhapur me shpejtësi në drejtim të disa zonave të banuara.
Për shkak të terrenit të vështirë, gjatë ditës u bë e nevojshme edhe ndërhyrja nga ajri, por me afrimin e natës helikopterët janë larguar nga zona, pasi operacionet ajrore nuk mund të vijojnë në kushtet e errësirës.
Pas ndërprerjes së ndërhyrjes nga ajri, flakët kanë marrë sërish hov dhe po avancojnë drejt zonave më poshtë, duke shtuar rrezikun për banesat dhe bizneset.
Vatra është përhapur në disa drejtime, duke kërcënuar lagjet Luban, Barabit dhe Abaze, si dhe zonën e Rrugës së Malit, ku ndodhen objekte banimi dhe biznese. Flakët kanë avancuar gjithashtu në drejtim të Ali Lam dhe Kërçinës.
Situata më alarmante raportohet në lagjen Abaze, ku rreth 30 banesa ndodhen nën kërcënimin e zjarrit. Në këtë lagje numërohen rreth 300 banesa dhe përhapja e shpejtë e flakëve ka vënë në alarm banorët.
Për shkak të rrezikut është urdhëruar evakuimi i pjesshëm në zonat pranë vatrave. Përparësi në largimin nga zonat e rrezikuara u është dhënë fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara.

Sipas ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, masat për evakuimin janë marrë nga Policia e Shtetit pas kërkesës së pushtetit vendor, me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së banorëve.
Ndërkohë, ministri njoftoi se personi i dyshuar si autor i zjarrit është arrestuar nga Policia e Shtetit dhe do të përballet me pasojat ligjore.
“Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale. Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut”, shprehet Lamallari.
Në terren vijojnë të jenë të angazhuara forcat zjarrfikëse, Forcat Operacionale dhe Forcat e Armatosura, të cilat po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara.
Banorët dhe personat që ndodhen pranë zonave të prekura kanë kërkuar ndërhyrje të fuqishme për të parandaluar avancimin e mëtejshëm të zjarrit drejt banesave dhe bizneseve.
Ministri i Brendshëm deklaroi se strukturat shtetërore do të vijojnë të qëndrojnë në terren deri në eliminimin e rrezikut.
“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, deklaron ministri i Brendshëm.
Ndërhyrja gjatë natës mbetet e përqendruar nga toka, ndërsa përhapja e flakëve vijon të varet edhe nga kushtet e erës. Autoritetet po monitorojnë zonat e rrezikuara, me prioritet mbrojtjen dhe evakuimin e banorëve që ndodhen më pranë vatrave të zjarrit.